(Intervista publikohet me shkurtime)

PYETJA: Kam dëgjuar se disa nga gazetat tona ju kanë ofruar bisedë që para shtatë-tetë muajve, mirëpo nuk keni pranuar të flitni. Cilat kanë qenë arsyet që pas daljes prej burgut 5-6 vjet të heshtni?

PËRGJIGJJA: Sa i përket «Zërit të rinisë», kam dëgjuar se kanë bërë plan për të biseduar me mua, mirëpo këtë plan nuk kanë ardhur që ta realizojnë. Ndërkaq, gazeta e studentëve «Bota e re» ka dërguar një gazetar që të bisedojë me mua, mirëpo ai erdhi në Krushë të Madhe ku jetoja, me ca mysafirë, ndonëse më parë u dhashë të kuptojnë se nëse duan të bisedojnë le të vijnë vetë ekskluzivisht për të biseduar për gazetë. Përveç kësaj, isha i prekur në «Botën e re», sepse, si profesor i Universitetit në vitin 1981, ndonëse i pari u vura në mbrojtjen e studentëve kjo gazetë e cila është e tyre, më parë nuk e kishte parë të arsyeshme që të bisedojë me mua.

PYETJA: Për këta 7-8 muajt e fundit është biseduar me shumë të burgosur politikë, shqiptarë në Kosovë. Cila është arsye që juve, megjithatë, nuk u është dhënë fjala në mjetet tona të informimit deri më sot?

PËRGJIGJJA: Për shkak se kam qenë i izoluar. Të gjitha fjalët që janë thënë se unë nuk pranoj të bisedoj për gazeta nuk janë të vërteta. Tekstet e mia të dërguara «Rilindjes», “lntervju»-së në Beograd, «Vjesnikut» në Zagreb dhe «Dellos» nuk janë botuar dhe nuk botohen as sot e kësaj dite. Pra, për arsye politike ka ekzistuar bllokimi im total për të dalë në opinion.

PYETJA: Pse mendoni se iu kanë bllokuar?

PËRGJIGJJA: Po, faktikisht më kanë bllokuar për shkak se unë atëherë kam qenë i vetmi personalitet politik i Kosovës që ka hëngër burgun në vitin 1981.

Po ta jap një shembull ilustrativ për bllokimin tim dhe detyrimin që të mbetem në izolim. Një personalitet i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të Helsinkut në vitin 1989 e porositë njërin që të më tregojë se dëshiron të takohet me mua. Unë i tregova se pranoj që të takohem dhe i preferova që të vijë në shtëpinë time në Krushë, mirëpo as ai që ma solli porosinë e as përfaqësuesi i Helsinkut nuk u dukën kurrë më. Ishte kjo Berit Beker. Para dy javësh e thirra me telefon nga Lubjana dhe e pyeta se pse nuk ka ardhur në vitin 1989 tek unë. Ajo tekstualisht m’u përgjegj se unë nuk kam dashur të bisedoj me të. Kur ia ktheva se e kam pritur në shtëpi ajo më tha se s’ka ardhur për shkak se është frikësuar se mos më shkakton dëm. E pyeta: a keni mbrojtur atëherë të drejtat e njeriut apo diçka tjetër. Zonja Beker, e njohura ime që kur isha sekretar i punëve të jashtme, atëherë m’u përgjigj se përveç asaj që i kanë thënë se s’dëshiroj të bisedoj me të i kanë thënë edhe se unë qenkam vetizoluar në Krushë të Madhe dhe si i tillë s’jam i informuar dhe kam ndërprerë kontinuitetin e ngritjes sime intelektuale e politike. Pra, me një fjalë, Zonja Beker në bazë të kësaj informate deri para dy javësh ka kujtuar se intelektualisht jam i krisur e mentalisht gjendem jashtë realitetit kohor. Këso informatë jo vetëm Zonjës Beker, por edhe disa interesuarve të tjerë ndërkombëtarë për mua i kanë dhënë disa nga qarqet e politikës aktuale e ky nuk mund të jetë vetëm shteti serb. Pra, shkurt e shqip, nuk kanë pasur për qëllim të më eliminojnë vetëm politikisht, por edhe intelektualisht.

PYETJA: A dëshironi t’i thoni konkretisht emrat e atyre njerëzve?

PËRGJIGJJA: Nuk është punë e njerëzve, është punë e një politike të tërë, ose e një aparati shtetëror. Pra, kam qenë i penguar në të gjitha format, madje edhe nëpërmjet shkatërrimit të familjes sime të ngushtë. Edhe atë si rezultat i një konflikti së vazhdueshëm me një politikë që unë e kam quajtur, recidiv të politikës ë vjetër, recidive të para viteve 1981, gjegjësisht si recidiv i raporteve të mia me atë politikë. Nëpërmes të kësaj mënyre kanë dashur të më detyrojnë që të vihem në interes të tyre, mirëpo unë këtë nuk e kam pranuar. Nuk e kam pranuar për shkak se i kam takuar dhe i takoj një politike të re dhe një mendimi të ri politik.

PYETJA: Çka nënkuptoni me vijën e re politike?

PËRGJIGJJA: Keni mundur ta vëreni këtë edhe prej artikujve që kam botuar në këta muajt e fundit në gazetën që e udhëheq — në «Demokracinë autentike». Linja e re politike është më afër problemeve reale të Kosovës dhe ajo i shpreh ato. Është politikë që buron drejtpërsëdrejti prej problemeve që i ka Kosova. Pra, këto probleme i sheh në totalitetin e tyre dhe mundohet që ato të zgjidhen po ashtu në tërësi e jo vetëm në disa segmente të jetës shoqërore kosovare.

PYETJA: Më lejoni t’ju përkujtoj se si gazetar me ju kam biseduar në vitin 1976, atëherë kur ishit, të shprehem kështu, ministër i punëve të jashtme të Kosovës. Milovan Gjilasi në intervistën e paradokohshme dhënë po kësaj reviste për të cilën po bisedohet thotë se ajo gjeneratë e politikanëve të viteve 79-ta në krye me Mahmut Bakallin e ka përgatitur njëfarë mënyre vitin 1981 në Kosovë. Sa është i qëndrueshëm ai mendim i Gjilasit kur tash po flitni për recidivet e asaj politike, natyrisht në kontekst negativ të çështjes?

PËRGJIGJJA: Në planin global të zhvillimit shoqëror është e vërtetë se politika para vitit 1981, për shkak të liberalizmit të përgjithshëm në Jugosllavi, ka lejuar në mënyrë spontane zhvillimin e aspektit kombëtar, zhvillimin e asaj që quhet nacionale në Kosovë. Mirëpo, ai liberalizëm, që mundësoi zhvillimin e nacionales në Kosovë, në të njëjtën kohë ka zhvilluar edhe kundërshtarët e vet që kanë kërkuar ndryshimin e statusit të përgjithshëm të Kosovës, që kanë kërkuar zhvillimin më të shpejtë. Në të njëjtën kohë kanë kërkuar edhe bartësit e mendimit politik për shkak se nuk janë pajtuar me devijimet politike të cilat e përfshinë liberalizmin. Me fjalë të tjera asaj gjenerate nuk mund t’i mohohet ajo për të cilën thotë Milovan Gjilasi, posaçërisht në sferën e kulturës, arsimit e në disa segmente të tjera shoqërore. Por nuk mund të mohohet as fakti se politika e tillë prej një kohe sidomos në vitin 1981, është shndërruar në frenues të zhvillimit të mëtutjeshëm dhe më të shpejtuar të Kosovës. Është rritur kuantiteti i njerëzve që kanë kërkuar zhvillim më të shpejtë, ndërkaq ai liberalizëm i nevojshëm i viteve ’70, në fund të kësaj dekade u tregua frenues, prandaj një frenim i tillë ka shkaktuar revoltën e cila pëlcet në vitin 1981. Vitet ’70 në Kosovë karakterizohen edhe me të meta të jashtëzakonshme. Pra, një politikë e tillë stihike nuk ka pasur ndjenjë të mjaftueshme për të kuptuar interesat e masës, ka pasur tejet shumë privilegje, korrupcion, prandaj edhe ka qenë e izoluar, e si rezultat i të gjithë këtyre është edhe fatkeqësia e shkaktuar në popull.

PYETJA: Në vitin 1977 ju ka skaduar mandati, apo keni qenë të larguar nga funksioni i anëtarit të qeverisë së Kosovës?

PËRGJIGJJA: Kam dhënë dorëheqje në vitin 1977 për shkak se nuk jam pajtuar me ngecjen e zhvillimit të Kosovës, mirëpo dorëheqjen nuk munda ta arsyetoja kështu në atë kohë. Po ta thoshe këtë nuk do të më lejonin as të jap dorëheqje e as të punoj politikisht, prandaj m’u desh të them se jap dorëheqje për shkak se dëshiroj të specializoj. U pajtuan që të gjithë që të shkoj në Amerikë kinse për specializim. Isha në Harvard dhe në disa universitete të tjera të Amerikës dhe atje qëndrova një vjet. Kur u ktheva, me vështirësi më pranuan të jap mësim në Fakultetin Filozofik.

PYETJA: Çka mendoni për disa personalitete politike të Kosovës, siç është Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli, Azem Vllasi e ndonjë tjetër me të cilët edhe keni pasur rast të punoni?

PËRGJIGJJA: Nuk dëshiroj të përgjigjem në këtë pyetje, për shkak se sot më është dhënë rasti që të flas.

PYETJA: si e shpjegoni faktin se në vitin 1981 tërë garniture politike e Kosovës u vu kundër kërkesave të studentëve që më vonë morën përmasa të gjera popullore, e ku faktikisht u kërkua Kosova Republikë?

PËRGJIGJJA: Të them të drejtën e kuptoj si gabim të udhëheqësisë kosovare. Iku prej obligimit për të udhëhequr masën në një situatë dramatike. Në të gjitha dokumentet e partisë së atëhershme shkruante se Kosova duhet të zhvillohet më shpejt, mirëpo tempoja e realizimit të këtij përcaktimi ishte tejet e ngadalshme Revolta e studentëve u shpreh pikërisht për shkak se tjetër deklarohej publikisht e tjetër realizohej. Fakti se udhëheqja politike e Kosovës nuk doli para studentëve shpjegohet në mënyra të ndryshme. Megjithëkëtë, unë mendoj se ata nuk e kuptonin as kohën e as esencën e kërkesës. Ishim mësuar me mentalitetin komandues. Udhëheqësit kryesor i kishim që nga lufta dhe që prej atëherë të mësuar dikush t’u thotë përherë bënë kështu e bën ashtu, e ata ta dëgjojnë. Kurse koha ishte e njerëzve të cilët do të dinin komandën t’ia përshtatin rrethanave, pra që baza t’i diktojë qendrës së çka duhet të bëjë Kurse politikanët tanë vepronin vetëm si ekzekutorë të politikës qendrore në vend që të veprojnë si kreatorë të politikës së bazës. Pra, e kishin humbur kontaktin me masën prandaj edhe nuk kishin si të dilnin para saj. – Smund të ndodhte ndryshe pos të kundërvihen ashtu si u kundërvunë.

PYETJA: Më lejoni t’ju them se që prej vitit 1977-1978 shumica e njerëzve në Kosovë mendonte se vetëm është çështje e ditës se kur Kosova do të bëhet Republike, kurse si akt e konsideronin të kryer.

PËRGJIGJA: Ç’është e vërteta që pas vitit 1968 udhëheqja politike e Kosovës edhe ajo ka qenë e bindur se Kosova duhet të bëhet republikë, mirëpo, nuk ishte e aftë që të përcaktohej se në cilën moment të bëhet kjo dhe çfarë kushtesh duhet plotësuar për këtë, prandaj edhe e lanë që ta përcaktoj dikush tjetër dhe jo ata vetë Ishin mësuar me atë mentalitetin e realizimit të komandës, prandaj s’mundën edhe të vlerësojnë se të gjitha kushtet ,në vitin 1981 ishin plotësuar që Kosova të bëhet republikë, ata nuk ishin në gjendje që të dilnin në ballë të kësaj lëvizjeje, aq më pak që ta orientojnë atë.

(Qani Mehmedi, revista Zëri i rinisë, 1991)

Foto nga Muharrem MJEKU

Përgatiti për publikim: Agim Morina

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *