Nga Ermal Mulosmani
Kur u bë Referendumi i 97-ës për Republikë apo Mbretëri, babai im më thoshte: Mirë mo mirë, ja fitoi Mbretëria. Atëherë duhet një Referendum tjetër me pyetjen “Kë doni Mbret”?
Ne shumë vështirë e pranojmë që jemi të ndikuar nga propaganda komuniste, mendimet e propagandës së asaj kohe na duken si mendimet tona origjinale, jemi bërë njësh me to.
Ahmet Zogu ka shumë dritëhije dhe është shumë vështirë të gjykosh drejt një shtetar kur shteti ishte në embrion, në pushtetin e fiseve dhe bajraqeve. Kur kishte dhunë, varfëri, injorancë, kapadaillëk dhe kurrfarë institucionesh. Sigurisht që mbi të do rëndojë vjedhja e arit, dorëzimi pa luftë etj. Por, çdo njeri me mend në kushte të tilla do të bënte atë që bëri Zogu. Kështu mendoj unë.
Tani sa i përket prejardhjes mbretërore të Princit. Mos e merrni kaq seriozisht. Çdo familje ne një moment të caktuar të kohës (edhe Burbonët) nuk kanë qenë Mbretër (fjala vjen para 1000 vjetësh). Problemi shtrohet që sa më e vonshme shpallja “Mbret” aq më e papranueshme. Aq më pak kur pasohet nga shteti komunist. Leka është pinjoll i Ahmet Zogut.
Zogu ka qenë 15 vjet a më shumë ufhëheqës i shqiptarëve në periudhën fillestare të shtetit. Ai ka hedhur themelet institucionale, ka bërë ç’mundi për ta kaluar nga epoka e fiseve drejt shtetit modern. Sigurisht i kushtëzuar nga pafuqia, varfëria e njëmijë kufizime. Epoka e mbretërve është e mbyllur por jo edhe urrejtja për ta. Kjo na bën të pacivilizuar, Zogu është pjesë e rëndësishme e historisë së Shtetit shqiptar. Në nderim të historisë sonë të shkurtër, na takon të jemi pak më zemërgjerë, të pranojmë nostalgjinë mbretërore të disave. Mua nuk më kushton asgjë psh të quaj Princ Lekën. Ne po quajmë me tituj bombastikë gjithfarë krimineli, hajduti e gango tiktoku dhe i marrim seriozisht po rëndohemi pse nipi i Ahmet Zogut e quan veten Princ! Përballojeni sa të mundni njerëz këtë dramë. Më shumë sesa e tij është e juaja. Unë shkoj në Tropojë sot e kësaj dite dhe gjysma e të njohurve më thërrasin “O Bajraktar” në nderim të historisë së asaj treve, të paraardhësve të mi. E pse u dashka të mos i themi Princ trashëgimtarit të Mbretit?