Gjendja nuk është e lehtë, po unë s’kam se ç’bëj. Të dalë ku të dalë.
Vetëm një gjë dua nga ty. Të vish, të marrësh ato plaçkat që të kam thënë. Mua, në këtë gjendje, do të më dukej sikur është një kënaqësi. Po nuk duhet ta shtysh.
Sëmundjen e kam të rëndë dhe nuk dua që gjithçka të merret nëpër këmbë. Mos mendo për të tjerët.
Unë s’i kam kurrkujt borxh dhe askujt s’i kam kërkuar as ndihmë, as lehtësi, as jam ankuar që mbeta e braktisur.
Kur ata që të kanë në dorë të varrosin për së gjalli 38 vjet me radhë, pa të drejtë, është e kuptueshme se asnjeri nuk do të rrezikohet.
Ju m’u ndodhët në këto çaste të rënda. Ju faleminderit dhe për këtë dua që ajo që mund të shpëtohet të bjerë në duart tuaja.
Pas votimeve të pres.
Eja dhe shko brenda ditës…
…Tani jam nga fundi dhe sido që të jetë, ishalla kam fat të mos lëngoj…”
Fragment nga letra që Musine Kokalari i shkruante Platon Kokalarit më 18 prill 1983, disa muaj para largimit nga jeta.
Burimi: Muzeu Kokalari