Një grup studentësh mbajtën sot një protestë para godinës së Ministrisë së Arsimit prej nga shprehën mospajtimin e tyre me politikat e ndjekura nga kjo ministri që kanë çuar në mbylljen përfundimtare të disa degëve studimi. Studentët theksuan se ata kishin protestuar dhe para katër vitesh pikërisht për të evidentuar pasojat që do të sillnin politikat e gabuara të ndjekura nga ministria, por kërkesat e tyre ishin injoruar dhe pasojat po shihen në ditët e sotme.

“Katër vite më parë shumë degë rrezikonin të mbylleshin për shkak të vendimmarrjeve të gabuara. Kambana jonë e alarmit para katër vitesh u injorua dhe në disa raste u sulmuam. Sot jemi futur në një rrugë pa kthim. Të gjithëve besoj u kujtohet shpallja e programeve universitare të studimit. Askush nga autoritete nuk del të tregojë rezultatet e sondazhit kombëtar të studentëve. Kjo sepse as këtë herë nuk ia ka dalë të punojë për studentët. Katër nga 35 programet janë mbyllur. Kjo tregon dështimin e politikave të ndërmarra. Studentët orientohen drejt programeve të studimit që shërbejnë si pasaportë për të ikur jashtë vendit. Nuk kanë kaluar 24 orë nga deklaratat atdhetare, ndërkohë që dega e matematikës sot po mbyllet. Durrësit është duke iu mbyllur dega e hoteleri turizmit. Askush nuk shqetësohet për fizikën. Indiferenca, keqqeverisja dhe lënia në harresë e degëve të arsimit.”- u shpreh një nga protestuesit.

Protestuesit kërkuan po ashtu më shumë transparencë nga Ministria e Arsimit lidhur me proceset vendimmarrëse dhe sidomos rreth politikave buxhetore të ndjekura nga ky institucion. Në fjalimet e mbajtura, protestuesit e konsideruan Ministrinë e Arsimit si një institucion plotësisht të dështuar në vendimmarrjet dhe politikat e ndjekura, pasi rezultatet në terren flasin qartë për dështime të gjithëanshme, pasqyruar më së shumti në largimin e studentëve nga universitetet tona.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *