Nga Enver Bytyçi
Debat i madh nëse do të hapet ose jo Ura e Ibrit. Shumica beson se ajo duhet dhe dhe do të hapet. Një pakicë, kryesisht garniturë e ideve për ndryshim kufijsh dhe Open Balkan, thonë se Albin Kurti nuk mund ta hapë urën, sepse nuk mund të konfrontohet me NATO-n.
Unë di një gjë: – Kur Albin Kurti është nis ta realizojë diçka e ka realizuar, pavarësisht kostove që kanë patur aksionet e tij politike për vendosjen e kontrollit në gjithë territorin e vendit, sidomos në veri. Kësaj radhe është pak ndryshe. Kurti po e përdor me durim konsultimin me ndërkombëtarët. Jo se nuk e ka marrë vendimin. Por e shtyn vendimin thjesht që të justifikohet në publikun e Kosovës se nuk kanë munguar konsultat me aleatët.
Aleatët kësaj radhe po duan ta angazhojnë edhe NATO-n, si pjesë e konsultave. Me qëllim që presioni ndaj Kurtit të rritet e ai të tërhiqet nga zbatimi i vendimit për hapjen e Urës së Ibrit. Mesa shoh QUINT-i dëshiron ta dështojë hapjen e urës, jo thjesht për shkak të cënimit të sigurisë, sa për shkak të impaktit që ka kjo për rritjen e autoritetit në elektorat të kryeministrit të Kosovës. Pra, ata nuk duan që Kurti pas zgjedhjeve të ardhshme të qeverisë i vetëm.
Për këtë arsye Kurti duhet të bëjë shumë kujdes. Të mos bjerë në kurth. Që do të thotë do të duhet të jetë i përgatitur për ndonjë agresion tjetër serb në komunat e veriut e ndoshta edhe në jug të vendit. Ka shumë mundësi që një ose më shumë vende të QIUNT-it, të gjitha ato anëtare me peshë në NATO, të bëhen palë inkurajuese për Serbinë për akte diversioni e ndoshta terroriste. Në politikë nuk kanë rëndësi mjetet, rëndësi ka qëllimi! Kjo është aksioma e përgjithshme e saj. Fatkeqësisht!
Prandaj, nëse Kurti nuk e ka ose nuk mund ta ketë situatën e sigurisë nën kontroll të rreptë, e ka të vështirë ta hapë Urën e Ibrit. Sepse vërtet akti i hapjes së saj i sjell atij pikë elektorale e politike, por një akt terrori i Serbisë e çon këtë kredibilitet në fund të kuotave.
Ndërkaq Kurti duhet të llogarisë të përballet me presionin politik të krerëve të shteteve dhe diplomacitë e vendeve të QIUNT-it. I pari do të jetë kryeministri i Shqipërisë, pavarësisht problemeve pa fund që i kanë dalë, ai që do ta dënojë hapjen e Urës jashtë kontekstit të bisedimeve Kosovë-Serbi e pa lejen e Brukselit. Amerika tashmë e ka bërë atë dalje!
Unë jam i interesuar të fitojë Kosova. Pra, të mos fitojnë forcat politike të mëparshme, të cilat u luten diplomatëve perendimorë “Aman na ndihëmoni ta ndajmë Kosovën e t’ia japim pasuritë e saj Serbisë”! E që do të thotë të fitojë së paku edhe një mandat koalicioni i sotëm qeverisës, i cili ka dëshmuar se sakrifikon për mbrojtjen e rendit dhe sovranitetit shtetëror dhe se e lufton më mirë korrupsionin. Them më mirë, sepse korrupsion ka edhe në administratën e kësaj qeverisjeje!
Përfundimisht ura duhet hapur. Por nëse ata që e hapin kanë këllqe ta mbrojnë rendin, rregullin, qetësinë dhe paqen! Vetëm në këtë rast do të sfidohen sërishmi jo vetëm politikat e Beogradit në Kosovë, por edhe ata që këshillojnë që ura të mos hapet.