GREQI – Zhvillime të reja kanë dalë në dritë lidhur me rastin e një 64-vjeçari shqiptar të akuzuar për tentativë përdhunimi ndaj një 25-vjeçareje me aftësi të kufizuara në Greqi. Përveç kësaj ngjarjeje, akuza të rënda janë ngritur edhe nga vajza e tij biologjike, e cila pretendon se është abuzuar seksualisht prej tij kur ishte vetëm shtatë vjeçe.
Sipas mediave greke, e reja ka rrëfyer se ngjarja ka ndodhur në Shqipëri, brenda banesës familjare, në një kohë kur në shtëpi nuk ndodhej askush tjetër. Ajo thotë se nuk e denoncoi atëherë për shkak të frikës dhe se sot nuk mban më asnjë marrëdhënie me të atin.
25-vjeçarja tregon se e ka përmendur abuzimin gjatë një konflikti me të atin, por ai i ka mohuar akuzat dhe është përpjekur ta paraqesë si të pavërtetë rrëfimin e saj. Sipas saj, përpjekjet për ta denoncuar më vonë nuk kanë dhënë rezultat, pasi i është thënë se kishin kaluar shumë vite dhe ishte e vështirë të provohej rasti.
E reja pretendon gjithashtu se nëna e saj ishte në dijeni të ngjarjes, por nuk ndërhyri. Ajo shton se ka ndërprerë çdo kontakt jo vetëm me prindërit, por edhe me pjesëtarët e tjerë të familjes, pasi sipas saj nuk e kanë mbështetur.

