Fundi i qershorit ka sjellë një valë të të nxehtit në vendin tonë, ndërsa kjo valë pritet të kulmojë ditën e nesërme me temperaturë 40 gradë, e cila, në diell, mund të arrijë deri në 45 gradë.
“Territori shqiptar është nën ndikimin e valëve të të nxehtit afrikan, duke bërë që të kemi temperatura ekstremisht të larta. Maksimumet në rang territori do të regjistrohen në vlerën 39–40 gradë Celsius. 40 gradë Celsius do të regjistrohen në qarkun e Elbasanit, ndërsa Berati e Kopliku pritet të regjistrojnë temperatura të ajrit në vlerën 39 gradë Celsius. Në diell, temperaturat e ajrit ndihen 4–5 gradë më të larta se sa vlerat normale. Valët e të nxehtit do të zgjasin deri në fundjavë, ndërsa dita e shtunë dhe e dielë do të sjellin një rënie graduale të temperaturave,” – tha meteorologu Hakil Osmani.