Europa po përjeton një valë acari, e cilësuar nga meteorologët si një nga episodet më të forta të këtij shekulli. Edhe pse temperaturat nuk kanë arritur minimumin ekstrem të regjistruar në Salla Naruska të Laplandës finlandeze, ku termometri zbriti në -42,3°C, të ftohtit i ashpër ka prekur një pjesë të madhe të kontinentit.
Vala e acarit ka goditur veçanërisht zonat verilindore të Europës, duke u shtrirë edhe në Italinë veriore. Në Rrafshnaltën e Asiagos janë shënuar temperatura deri në -23,1°C, ndërsa në qytetin e Pratos termometri ka zbritur në -9,3°C. Ndërkohë, në Siçili, majat më të larta të zonës Madonie janë mbuluar nga bora.
Meteorologët raportojnë se temperaturat aktuale janë rreth 15 gradë nën mesataren sezonale, ndërsa kulmi i të ftohtit pritet gjatë natës mes së dielës dhe së hënës. Parashikimet flasin për temperatura minimale “arktike” në shumë zona alpine dhe veriore të Italisë, ku në disa raste vlerat pritet të zbresin deri në -25°C.
Një i ftohtë i ashpër është regjistruar edhe në Rrafshin e Padanës, si dhe në pjesë të Toskanës, Umbrias dhe Apenineve qendrore, ku temperaturat kanë zbritur disa gradë nën zero. Kushtet e acarta janë shtrirë deri në Kalabri, ku gjithashtu janë shënuar temperatura negative.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat malore dhe në akset rrugore të prekura nga ngricat dhe bora.

