Gjykata e Prishtinës ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për 2 muaj të pandehurve Dragisha Viqentijeviq dhe Jovan Viqentijeviq, të dyshuar për sulmin terrorist të kryer më 29.11.2024 në kanalin e ujit të kompanisë “Ibër-Lepenc”, në zonën e Zubin Potokut – raporton Kallxo.com.
Lajmin e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës suaj për informata, ju njoftojmë se, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve D.V. dhe J.V., gjyqtarja e procedurës paraprake, pas shqyrtimit të kërkesës, ka marrë aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit ndaj të njëjtëve është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muajsh, deri më datën 01.09.2025,” – thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Gashi për Kallxo.com.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e pati cilësuar sulmin si të orkestruar nga Beogradi dhe të kryer nga elementë të njësive terroriste të udhëhequra nga Milan Radojçiç.
“Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin. Por unë e di një gjë: se elementë të tillë kriminalë, qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës Civile, e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar,” – kishte thënë Kurti pas sulmit.