Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin me pasoja të rënda nëse do të përpiqet të bllokojë kalimin e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.
Në një reagim të fortë në rrjetet sociale, Trump theksoi se çdo përpjekje për të ndërprerë transportin e naftës në këtë korridor strategjik do të përballet me një përgjigje shumë më të ashpër nga SHBA.
Ai deklaroi se në një skenar të tillë, Uashingtoni është i gatshëm të godasë objektiva të shumta në Iran dhe paralajmëroi se reagimi amerikan mund të jetë deri në 20 herë më i fortë se sulmet e deritanishme.
Presidenti amerikan shtoi se SHBA ka kapacitete të mjaftueshme ushtarake për të shkatërruar objektiva që, sipas tij, janë të lehta për t’u neutralizuar dhe se një përshkallëzim i situatës do të sillte pasoja shumë të rënda për Teheranin.
Deklarata e Trump vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm, ndërsa përplasjet dhe sulmet në rajon kanë rritur frikën për ndërprerje të furnizimit me naftë dhe luhatje të forta në tregjet globale të energjisë.

