Nga Sebastian Zonja

Sllovenia, një vend për të cilin dëgjojmë pak, ku edhe lufta gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë zgjati vetëm 10 ditë, po zhvillon një referendum për largimin ose jo nga aleanca ushtarake e NATO-s. “Ka veç dy mënyra: ose qëndrojmë në NATO dhe paguajmë për anëtarësinë, ose largohemi nga aleanca – gjithçka tjetër është populizëm mashtrues ndaj qytetarëve sllovenë”, tha kryeministri Robert Golob këtë javë. Pyetja që do të shtrohet javën e ardhshme në referendum është: “A e mbështesni rritjen e shpenzimeve për mbrojtje në 3% të PBB-së deri në vitin 2030?”

Gjithçka nisi me samitin e NATO-s në Hagë, më 24 qershor, ku anëtarët u zotuan të rrisin shpenzimet ushtarake deri në 5% të PBB-së deri në vitin 2035. Sllovenia është vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe aleancës veriatlantike. Janë vetë qytetarët sllovenë që do të përcaktojnë të ardhmen e vendit të tyre, por le të shohim pak më qartë se çfarë do të thotë ky referendum për rajonin tonë të trazuar dhe për “Rusinë e vogël” ballkanike – Serbinë.

Nga ajo që lexojmë nëpër mediet sllovene, vendi ka ruajtur një marrëdhënie interesante me Rusinë, duke balancuar kulturën e saj sllave me angazhimet si anëtare e BE-së dhe NATO-s. Ndryshe nga Serbia, sapo u pushtua Ukraina, Sllovenia e dënoi pushtimin, vendosi sanksione, mbylli hapësirën ajrore për fluturimet ruse, dëboi diplomatët dhe ndërpreu marrëveshjet e bashkëpunimit. Kjo linjë filloi të tronditej teksa linjat populiste, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, u rritën në vend. Një seri politikanësh filluan të kritikojnë ndërprerjen e lidhjeve politike të BE-së me Rusinë, duke e cilësuar këtë si një gabim strategjik.

Kjo linjë mendimi po artikulohet gjerësisht nga aktorë të ndryshëm nëpër Evropë. Ndërkohë, nëse marrim një pozicion realist – jo sikur jemi të gjithë fuqi bërthamore dhe ushtarake si Amerika apo Kina – kuptojmë se vende të vogla si Sllovenia i japin përparësi sigurisë përmes aleancave ose balancimit të Fuqive të Mëdha.

Anëtarësia në NATO, qoftë për ne, qoftë për Slloveninë, pasqyron një strategji të mirëfilltë realiste në mbrojtje. Duke parë kontekstin historik të tendencave dhe dominimit rus në Evropën Lindore – teksa pjesë e Bashkimit Sovjetik kemi qenë edhe ne – pjesëmarrja në NATO na jep siguri përballë agresioneve të jashtme, pasi kemi kapacitete të kufizuara ushtarake.

Aktualisht, Ballkani Perëndimor është një rajon që tensionohet nga Serbia dhe tendencat e saj shoviniste. Vendi që vrau e preu gjithë fqinjët, sot derdh lot krokodili dhe pretendon se ka ndryshuar, duke kërkuar paqe në rajon. Nën petkun e neutralitetit, Serbia është kthyer në qendër të përhapjes së tensioneve me grupe paramilitare (rasti i Banjskës), lajme të rreme (tentativat për shpërbërjen e Bosnjës) dhe si një vektor ruso-madh në rajonin tonë problematik (linjat filo-ruse në Mal të Zi).

Shtetet e vogla mbështeten tek aleancat me të mëdhenjtë për mbijetesë. Ushtria jonë, apo edhe ajo e Sllovenisë – edhe pse mund t’i quajmë profesionale – janë të vogla dhe nuk kanë kapacitete për të parandaluar Fuqi të Mëdha si Rusia kur kërcënojnë me sulme hibride. Ka analistë që mendojnë se neutraliteti është zgjidhje në këto raste, por mund të themi se historia, në shumë raste, na tregon të kundërtën.

Largimi i Sllovenisë nga NATO mund të dobësojë kohezionin e aleancës, duke inkurajuar qëndrime më agresive të “Rusisë së vogël” në rajon – Serbisë. Ne dimë nga historia jonë jo shumë e largët se shtetet e vogla rrallëherë ia dalin të lulëzojnë në izolim, ndaj rreshtimi me Serbinë për një lloj neutraliteti në këto kohë të turbullta vetëm se do të krijonte hapësirë për lojëra dhe sulme të reja nga Serbia dhe aleatët e saj në rajonin tonë.

Teksa Franca dhe Gjermania mendojnë në shkallë kontinentale për sigurinë bërthamore dhe ushtarake të Evropës, ka një sërë analistësh që flasin për Shqipërinë dhe Slloveninë sikur të ishin India dhe Pakistani, me ushtri të mëdha, armë bërthamore, demografi qindra milionëshe dhe interesa të gjera strategjike. Ajo që shohim realisht, nëse qëndrojmë me këmbë në tokë, është se dalja e Sllovenisë nga aleanca minon unitetin e NATO-s. Rusia e vogël dhe ajo e madhe do ta shfrytëzojnë këtë rast të artë për të sfiduar krahun lindor të NATO-s.

Unë mendoj se Kosova duhet të bëhet pjesë e NATO-s, ashtu siç duhet të bëhet pjesë e aleancës edhe Bosnja. Po ashtu, është e rëndësishme që të ruhemi nga propaganda serbomadhe në Ballkan që vjen në gjuhën shqipe me mesazhe të bukura paqeje dhe dashurie.

By Editor