Vendimi i zbardhur i Apelit të Gjykatës së Posaçme sqaron arsyet pse kjo gjykatë vendosi të mos e ndryshojë masën e paraburgimit për Erion Veliajn.
Sipas vendimit, kryebashkiaku i Tiranës mund të prishte provat e hetimit dhe të ushtronte presion mbi dëshmitarët në kushtet e një mase të lehtësuar sigurie.
Në vendim referohen edhe prova nga SPAK dhe BKH, ku ndër të tjera citohet edhe kryeministri Edi Rama gjatë një mbledhjeje me grupin parlamentar të Partisë Socialiste.
“Konkretisht, nga provat e administruara kanë rezultuar disa postime, siç do të përshkruhen në vijim:
Nga procesverbali për këqyrjen dhe marrjen e të dhënave nga burimet e hapura (interneti), i datës 01.03.2023, i mbajtur nga hetuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, pasqyrohet fillimisht një postim në faqen Facebook të personit nën hetim, Erion Veliaj, me të njëjtën datë, ku ai hedh akuza rreth procesit të filluar kundër tij.
Më tej, vijon me një postim ku ky person përdor shprehje ironike ndaj prokurorit Ols Dado.
Në postimin e datës 28.02.2025, Veliaj përdor shprehje fyese ndaj prokurorit Ols Dado dhe gjyqtarit Erjon Bani.
Po ashtu, në postimin e datës 26.02.2025, ai përdor sërish shprehje fyese ndaj të njëjtëve.
Në postimin e datës 25.02.2025, përdoren disa herë shprehje fyese ndaj prokurorit Dado.
Në datën 22.02.2025, përsëri përdoren disa herë shprehje fyese ndaj prokurorit Dado dhe në një rast ndaj gjyqtarit Bani.
Në postimin e datës 18.02.2025, përdoren disa herë shprehje fyese ndaj prokurorit Dado dhe në një rast ndaj gjyqtarit Bani.
Në datën 16.02.2025, situata është e njëjtë: disa herë fyerje ndaj prokurorit Dado dhe një herë ndaj gjyqtarit Bani.
Në fund, procesverbali pasqyron edhe një shkrim të gazetarit Mero Baze, të datës 28.02.2025, të botuar në “Gazeta Tema”, me titull: “Standardet etike të Veliajt ndaj prokurorit dhe standardet ligjore të prokurorit ndaj Veliajt.”
Nga procesverbali i këqyrjes së audio-videos në platformën YouTube, të mbajtur më datë 26.02.2025 nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, është pasqyruar një pjesë nga fjalimi i Kryeministrit, i transmetuar nga Top Channel, me titull: “Kam një sugjerim për SPAK”, – thuhet ndër të tjera në arsyetimin e vendimit.