Nga Shaip Beqiri
Pas 13 vjetësh të vdekjes së Teki Dërvishit
Sot janë bërë plot 13 vjetë që kur shkrimtari i shquar shqiptar Teki Dërvishi ka ndërruar jetë. Në disa vjetët e fundit të jetës së tij kishim bërë një projekt për mbledhjen, sistemimin dhe botimin e plotë të veprës së tij letrare e publicistike të tij. Në tërë këtë kohë më ka rënë të merrem drejtpërdrejt dhe intensivisht me këtë punë. Faza themelore dhe e më vështirë e kësaj pune, që ishte mbledhja e lëndës në periudhën e një gjysmëshekulli të plotë 1959 – 2008, qe kryer pothuaj plotësisht. Në fund të atij vjeti erdha në Prishtinë për t’i hyrë fazës tjetër të punës në këtë projekt gjigant. Autori i tërë këtij vëllimi të jashtëzakonshëm krijues, sidomos në njëzet vjetët e fundit, së bashku me mua, përnjëherë u ndodh para disa piramidave të veprës së vet, të cilat, përveç i befasuar e disi mosbesues, i shihte me ankthin tronditës të atij që i kishte krijuar ato ngrehina jo sall me ngjyrë në letër po më shumë me gjakun, mishin dhe eshtrat e vet.
Unë kam pritur plot dy muaj duke e soditur së afërmi gjendjen e ankthshme të Teki Dërvishit, brenda së cilës ai vazhdonte me të njëjtin ritëm ngritjen e mëtejme të asaj kështjelle bizare e brilante njëkohësisht. Dhe një ditë të zymtë të asaj mbarimvjeshte, kur vura re që s’kishte gjasë të vazhdonim të bënim diçka, ndonëse ai kurrë nuk ma tha shkoqur, mblodha rraqet e mia dhe mora udhën time që më priste.
Pas kthimit tim në Bern, pa vonuar shumë, në fillim të frorit 2009 nisa punën në Cyrih, kur komunikimin me Tekiun e kishim të përditshëm. Gjithnjë më rrallë bisedën e sillnim tek projeti i fiksuar i tij me 99 librash. Vërehej prej së largu hovi i tij në rënie të vazhdueshme, i dukej qartë molisja e irnosja rrotull syve deri të folurit e zvargur, të mekur. Këtë të fundit, mekjen e zërit, më ra ta dëgjoja sall dy ditë para se të shuhej përgjithmonë: «Prej meje nuk ka më asgjë. Projekti i veprës sime, që nisëm bashkë, të mbetet ty…». Vrulli i tij i tërë jetës nuk do të më godiste më fort se ajo mekje që më plandosi duke kapërthyer tërë qenien time… Ky ishte fundi i komunikimit midis nesh.
Më mban shpresa që vepra e Teki Dërvishit do të shohë dritën e diellit e plotë dhe e tërë. Peshën e artit të asaj vepre nuk e lëvizin dot erërat që fryjnë gjithandej rrotull nesh, aq më pak ndonjë gurth i panevojshëm që mëton t’i ngjitet stoli e çoroditur asaj.
Post Scriptum
Më bëjnë përshtypje dy gabime të panevojshëm që përsëriten si prej papagajsh në raste të ndryshëm për jetën dhe veprën e Teki Dërishit.
I pari, dihet që T. Dërvishi ka lindur në fillim të vjetit 1943 (shënohen së paku dy data). Ndërkaq vazhdimisht thuhet se është arrestuar në moshën 17-vjeçare si pjesëtar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve në qershor 1964, kur ai kishte mbushur 21.5 vjetë. I dyti, ata që bëjnë rendin bibliografik të librave të tij, mezi arrijnë të kalojnë njëzet titujt e botuar, që edhe si sasi është impozante: poezi, tregime, romane, drama, kritikë… Çfarë dhe kujt i duhet numri fiktiv 99!? Një ditë, kur të jetë botuar vepra e plotë e Teki Dërvishit, ajo edhe mund të kapë këtë numër, apo edhe ta kapërcejë atë, por fiksioni i papagajve nuk e rrit e nuk e ndryhon vlerën lapidare të veprës madhështore të Teki Dërvishit, për ç’fiksion ajo ka më së paku nevojë.