Për avokat Spartak Ngjelën, Aida Klosi nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe ajo nuk ka pse të jetë objekt i një hetimi të mundshëm nga SPAK-u.
I ftuar në një emision në Top News, Ngjela tha se ish -shefja e kabinetit të Arben Ahmetajt mund t’i ketë gjetur paratë në rrugë.
“Ajo është e justifikuar. Nuk ka vepër penale, është vepër administrative. Ajo mund të thotë lekët i kam gjetur në rrugë. Ligji e thotë qartë, kur i gjen është e jotja. Kur i del pronari është problem. Ajo ka thënë që po mblidhja lekë për xhaxhain. Ajo mund të nxjerrë 10 dëshmitarë, që të thonë i dhashë unë 5000 mijë, i dhashë unë 10 mijë. SPAK merret me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Nëse ky është krim i organizuar atëherë çështja do shkojë në SPAK, përndryshe jo.” – tha Ngjela.
Sakaq, shuma e denoncuar si e vjedhur nga Aida Klosi është 120mijë euro, ndërsa në banesën e Rozeta Dobit u gjetën 400mijë euro. Policia e Tiranës ka marrë të tjera denoncime pas publikimit të rastit, kryesisht për vjedhje bizuterishe, por askush nuk i del për zot shumës së konsiderueshme të eurove nën sekuestro.