Në 13 nëntor 1944 Vesim Kokalari do të festonte ditëlindjen e 47-të. Ndoshta në birucat e errëta të Hotel Bristol, ku e çuan së bashku me vëllain e madh dhe disa intelektualë të tjerë të Tiranës natën e 12 nëntorit 1944, i shkoi ndërmend, ndërsa po kuptonte se jeta e tyre varej si në një fije peri në duart e disa njerëzve të armatosur, se ishte pikërisht vigjilja e ditës së lindjes së tij që do të përkonte edhe me ditën e vdekjes. Jeta e Vesimit nisi në 13 nëntor 1897 dhe përfundoi tragjikisht në po të njëjtën ditë të vitit 1944.

Po pse Vesimi do të përfundonte në listën e intelektualëve që u masakruan atë natë që konsiderohet Shën Bartolemeu shqiptar?

VESIM KOKALARI lindi në Gjirokastër dhe ishte fëmija i dytë i Reshatit dhe Hanushesë, vëllai i dytë i Musine Kokalarit. Përfundoi gjimnazin e Stambollit. Në vitin 1920 u kthye së bashku me familjen në Gjirokastër, ku punoi si mësues në shkollat shqipe. Ishte pjesëmarrës aktiv në shoqëritë kulturore të kohës, si “Klubi Drita”, shoqëria “Bashkimi” etj. Me hapjen e Liceut Francez të Gjirokastrës, në vitin 1924 do të ishte në në përbërjen e trupës së parë mësimdhënëse. Mori pjesë në kryengritjen e Qershorit drejtuar nga Noli. Ashtu si vëllai Muntaz, u pushua nga puna dhe u burgos për disa muaj. Më pas u mor me tregëti. Ishte pjesëmarrës në lëvizjen e antimonarkiste e ashtuquajtur “Lëvizja e fshehtë të Fierit”. Në vitin 1936 u arrestua dhe dënua me burgim të rëndë, por për shkak të presionit ndërkombëtar, qeveria e Zogut bëri amnisti, prej së cilës përfitoi edhe Vesimi.

Pas shpërnguljes në Tiranë hapi Librari-kartoleri “Venus” dhe shtypshkronjën “Mesagjerit shqiptare”, ku jepte ndihmesën e vet edhe e motra, e mirënjohura Musine Kokalari. Vesimi është prodhues i shumë librave dhe kartolinave me pamje nga qytetet e Shqipërisë dhe me elemente etnografikë. Një nga librat e dalë nga shtypshkronja “Mesagjerit shqiptare” është edhe “Kosova djepi i shqiptarizmit”, viti 1943 me autor të vëllain Hamit Kokalari.

Ai u lidh në martesë me një nga vajzat e para të shkolluara në Girokastër, Fejzien dhe së bashku krijuan një familje të bukur dhe shemull emancipimi. Pikërisht mendimet e tij demokratike dhe përparimtare do të ishin arsyeja pse Vesimi, vëllai i tij Muntazi dhe viktimat e tjera të masakrës në Hotel Bristol do të ekzekutoheshin tinëzisht.

Të paharruar martirët e demokracisë./ Muzeu Kokalari

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *