Shqipëria vazhdon të mbetet një vend tranzit për shumicën e turistëve të huaj që e vizitojnë, me një pjesë shumë të vogël që zgjedh të kalojë të paktën një natë në vend. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) tregojnë se nga 819,151 vizitorë të huaj që hynë në Shqipëri gjatë muajit prill, vetëm 149,621 janë akomoduar në struktura hoteliere, bujtina apo apartamente me qira. Kjo do të thotë se më pak se 20% e turistëve që hyjnë në vend kalojnë natën aty.
Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, thotë se kjo pasqyron realitetin e një vendi që ende funksionon më shumë si një kalim mes destinacioneve sesa si qëndrim final.
“Kjo tregon vërtet situatën dhe, siç e kemi thënë, më shumë ne jemi vend tranzit. Kjo mund të vijë edhe si pasojë e shtimit të strukturave akomoduese që nuk janë të përfshira në sistemin e integruar të turizmit. Por gjithsesi, mund të themi që shumë pak të huaj flenë në Shqipëri,” u shpreh Topuzi për A2 CNN.
Sipas tij, pjesë e problemit është edhe informaliteti në rritje. Megjithëse vendi ka zyrtarisht 107 mijë shtretër të regjistruar në struktura të licencuara, një pjesë e madhe e kapaciteteve reale qëndron jashtë sistemit.
“Kemi rreth 30 mijë apartamente me rreth 90 mijë shtretër jashtë sistemit. Ndaj kemi këto shifra. Ndoshta do të shohim efekte më vonë si pasojë e ndryshimeve të ligjit për turizmin,” shton ai.
Përpjekjet e qeverisë për të formalizuar sektorin, përfshirë thirrjet dhe paralajmërimet për gjoba ndaj strukturave jo-deklaruese, duket se kanë dhënë efekt të kufizuar. INSTAT raporton një rritje prej vetëm 23% të akomodimeve krahasuar me prillin e vitit 2024 – rreth 20 mijë turistë më shumë.
Nga ata që u akomoduan në vend gjatë muajit, pjesa më e madhe – mbi 138 mijë – zgjodhën hotelet. Apartamentet me qira ditore, megjithatë, patën vetëm 8,700 vizitorë të huaj, shifër që sipas ekspertëve nuk përfaqëson realitetin për shkak të nivelit të lartë të informalitetit.
“Shqipëria ka gati 48% të kapaciteteve akomoduese në apartamente dhe vila jashtë sistemit tatimor. Kjo dëmton sa arkën e shtetit, aq edhe konkurrencën mes subjekteve,” paralajmëron Topuzi.