Nga Oktavio Paz

Vetmia nuk është karakteristikë e pjekurisë. Kur njeriu lufton me të tjerët apo gjërat që e rrethojnë, ai harrohet pas punës së tij, në krijimin apo ndërtimin e objekteve, ideve apo institucioneve. Vetëdija e tij personale bashkohet me atë të të tjerëve: koha nis e merr kuptim dhe qëllim e kështu kthehet në histori, një rrëfim i gjallë e kuptimplotë me të shkuar e të ardhme. Veçantia jonë – që rrjedh nga fakti se jemi vendosur në kohë, në një kohë të caktuar që përbëhet nga vetë ne e që na gëlltit ndërsa na ushqen – nuk është zhdukur, ajo vetëm është dobësuar e, në një kuptim, është “rifituar”. Ekzistenca ime personale merr pjesë në histori e cila shndërrohet, për të përdorur një frazë të Eliotit “në një model momentesh pa kohë”. Në këtë mënyrë, në fazat vitale dhe riprodhuese, një i rritur që vuan nga sëmundja e vetmisë, i bie që të jetë një anomali. Këtë lloj figure vetmitare e hasim shpesh sot, dhe kjo tregon gravitetin e sëmundjeve tona. Në kohët e punës në grup, këngëve në grup, kënaqësive në grup, njeriu është më i vetmuar se kurrë. Njeriu modern asnjëherë nuk ia dorëzon veten asaj që bën. Një pjesë e tij – pjesa më e thellë – është gjithmonë e distancuar dhe në gatishmëri. Njeriu spiunon veten. Puna, i vetmi zot modern, nuk është më krijuese. Ajo është punë pa fund, punë pa mbarim, që i korrespondon jetës pa përfundim të shoqërisë moderne. Dhe vetmia që ajo përfton – vetmi pa fund e hoteleve, zyrave, dyqaneve, kinemave – nuk është test që forcon shpirtin, një purgator i domosdoshëm. Është veçse mallkim, pasqyrim i një bote pa rrugëdalje.

Burimi: Hejza

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *