Aktori i njohur Viktor Zhusti ka reaguar publikisht pasi një foto private e tij me Adriatik Lapajn u përdor në rrjete sociale si pretendim për mbështetje politike ndaj lëvizjes “Shqipëria Bëhet”.
Sipas Zhustit, fotografia është realizuar rastësisht pas një shfaqjeje teatrale, vetëm si kërkesë personale dhe pa asnjë qëllim publik apo politik. Ai thekson se kishte dhënë miratim vetëm për përdorim privat dhe se ishte siguruar se imazhi nuk do të publikohej.
Megjithatë, fotoja u shpërnda më pas në rrjetet sociale nga Lapaj, e shoqëruar me një koment që sugjeronte përkrahje dhe “energji pozitive” për lëvizjen e tij, veprim që aktori e cilëson si keqpërdorim dhe manipulim të imazhit të tij publik.
Zhusti shprehet i zhgënjyer nga kjo sjellje, duke theksuar se nuk ka qenë dhe nuk është pjesë e asnjë angazhimi politik, ndërsa përdorimi i emrit dhe figurës së tij i ka sjellë pasoja personale, përfshirë reagime negative dhe armiqësi të panevojshme.
Ai e konsideron këtë episod jo thjesht një keqkuptim, por një shkelje besimi dhe një përpjekje për të krijuar mbështetje të rreme përmes figurave publike të artit shqiptar.
Reagimi i plotë i aktorit Viktor Zhusti:
“Eh, mor LLAPA… Nuk di a të kam sjellë ndonjë të mirë me dëshirën që të bëje një foto private, kur isha duke kaluar për në shtëpi mbas shfaqjes, por mua, veç dëm e shqetësim më ke sjellë.
Pranova të bëje foto vetëm për albumin tënd privat, meqë ‘kishe shumë simpati si aktor’ dhe më premtove që nuk do ta postosh. Madje, i thashë dhe bashkëluftëtarit tënd, artistit të kaq e ka filmave dhe kandidatit për deputet të ‘Shqipëria Bëhet’, djalit të mikut tim të çmuar Gent Kames, që të mos e postosh… Por juve, duket se e kishit të nevojshme një shashkë propagandistike për 22 dhjetorin…
Duke e shoqëruar foton me komentin ‘erdhi na takoi dhe na dha energji pozitive’, më bën përkrahës e simpatizant të partisë e lëvizjes tënde, ‘Shqipëria Bëhet’, gjë që as më ka shkuar ndonjëherë ndër mend. Sipas meje, Shqipëria vërtet do bëhet… por VETËM me ata kundër të cilëve ju po luftoni me çdo mjet e mënyrë. Me postimin tënd më ke sjellë mjaft armiqësi, qejfmbetje dhe komente negative, për të cilat nuk kisha nevojë.”

