Jovan Viqentijeviq, një nga vëllezërit e akuzuar për vendosjen e rreth 20 kilogramëve eksploziv në kanalin e Ibër–Lepencit një vit më parë, ka zbuluar gjatë hetimit se në tetor të vitit 2024 ishte planifikuar një tjetër sulm në territorin e Kosovës. Ai nuk ka dhënë detaje për natyrën e këtij operacioni, por ka thënë se plani ishte ndalur nga Milan Radoiçiq – i kërkuari ndërkombëtarisht për sulmin në Banjskë të vitit 2023, ku u vra togeri Afrim Bunjaku.

Sipas dëshmisë së Viqentijeviqit, Radoiçiqi urdhëroi pezullimin e sulmit për shkak të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe pritjes së fitores së Donald Trumpit. Madje, ai pretendon se Radoiçiqi kishte financuar fushatën e Trumpit me 30 milionë euro përmes lobit serb.

“Viqentijeviq ka theksuar se në tetor 2024 ka qenë i planifikuar një sulm në Republikën e Kosovës (pa dhënë detaje të tjera), por ishte stopuar nga i kërkuari ndërkombëtar Milan Radoiçiq, me arsyetimin se duhet të pritet përfundimi i zgjedhjeve në Amerikë dhe fitorja e kandidatit Donald Trump, pasi sipas informatave që kishte i pandehuri, Radoiçiqi ka financuar fushatën e Trumpit me tridhjetë milionë dollarë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Përveç akuzës për terrorizëm, Jovan Viqentijeviq po hetohet edhe për spiunazh, ndërsa në dosjen e tij përfshihet edhe një kartelë e inteligjencës ushtarake serbe.

Ai ka deklaruar gjithashtu se një ditë para sulmit në Banjskë, ndodhej në një bazë ushtarake në Serbi, ku – sipas tij – po trajnohej grupi i udhëhequr nga Radoiçiqi.

Në aktakuzën për sulmin në Ibër-Lepenc janë të përfshirë vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, të akuzuar për “rrezikim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, si dhe për veprimtari terroriste. Të njëjtit, bashkë me Igor Dimiqin, akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *