Nga Enver Bytyçi
Vlora Çitaku është gjithnjë aktive në ushtrimin e politikës opozitare dhe kritike e ashpër e kryeministrit Kurti dhe zëvendëses së tij, Donika Gërvalla. Kritikat e saj janë gjithnjë specifike dhe shpesh herë të goditura. Ditët e fundit ajo ka lëshuar akuza të rënda për përdorimin politik të ambasadave gjatë veprimtarive të dy drejtuesve të qeverisë në takime me diasporën e Kosovës. Sinqerisht e çmoj opozitarizmin e saj. Kosova dhe çdo vend tjetër ruan ekuilibrat dhe balancat e qeverisjes, nëse opozita reagon fort. Dhe jam i prirë ta besoj se Kurti dhe Gërvalla po keqpërdorin diplomacinë në tubimet me diasporën.
Por më vjen keq të them se zonja Çitaku ka probleme madhore në të bërit opozitë. Kritikat opozitare kërkojnë bashkimin e dy elementëve: – Mbështetjen në fakte e prova e artikulimin modern, nga njëra anë dhe personalitetin e kritikuesit, nga ana tjetër. Vlora kritikon drejtuesit e qeverisë për shkelje dhe përdorim politik të ambasadave dhe konsullatave të Kosovës, por nuk jep asnjë të dhënë, shembuj konkretë, dëshmi, fakte e prova. Megjithatë çdokush do ta besonte një kritikë të tillë, edhe pse e pambështetur në prova. Por ajo që nuk përputhet me kritikën gjendet te vetë kritikuesi, pra tek Vlora Çitaku.
Publiku shqiptar është njohur me një deklarim të një gruaje, personalitet në Bosnjë-Hercegovinë, e cila e akuzonte Vlorën për lobim në SHBA, gjithnjë në cilësinë e ambasadores së Kosovës në Uashington, për ndryshimin e kufijve, shkëmbimin e territoreve dhe ndarjen e Kosovës. Të lobosh për të kërkuar mbështetje për shefin (Hashim Thaçi) për t’i dhënë territore Serbisë në këmbim të një marrëveshjeje qoftë dhe me njohje, ishte dhe mbetet një akt tradhtie, një akt i deformimit të thellë të ushtrimit të detyrës së një diplomati dhe ambasadori. Lobimi për ndarjen e territorit është lobim kundër shtetit dhe shtetësisë. Dhe këtë akt e ka konsumuar ish-ambasadorja, Vlora Çitaku. Ndërsa aktivizimi i diplomatëve në veprimtaritë e kryeministrit dhe zv.kryeministres së Kosovës me diasporën është një shkelje, por e përmasave shumë më të vogla sesa lobimi për ndarjen e territorit.
Në këtë kuptim, PDK nuk ka gjet njeriun e duhur për të bërë opozitë kundër mazhorancës së Kurtit. PDK nuk është distancuar ende me aktin e paprecedent të iniciativave të ish-shefit të saj për ndarjen e Kosovës. Dhe sigurisht që kjo është llogaria që ajo e bën vetë. Këtë llogari e ka me elektoratin. Por së paku, me qëllim që opozitarizmi i saj të jetë i besueshëm, duhet të aktivizojë deputetë dhe politikanë të pa implikuar në afera kaq të rrezikshme për Kosovën, siç është rasti i Vlora Çitakut. Ndoshta ish-ambasadorja ka shkuar në PDK me autorizim të posaçëm, që të bëjë çfarë ajo ose ndonjë shef në hije i saj dëshiron. Pra, ka mundësi që ajo bën deklarime personale, sidoqë nuk i specifikon ato si të tilla.
Por Memli Krasniqi e ka funksion ldershipi vendosjen e rregullit në Partinë Demokratike të Kosovës. Për çdo deklaratë opozitare, për çdo kritikë dhe pozicionim do të duhet të gjendet njeriu i përshtatshëm, në kuptimin e aftësive për to dhe i papërlyer në karrierën e vet në afera, të cilat i lufton tek dikush tjetër. Nuk ka gjë më të urryeshme, sesa tregtari i territoreve të të shesë moral për keqpërdorim të ambasadave. Eshtë njësoj sikur një diktator të flasë për “drejtësi”! Sikur një hajdut të kritikojë dhe akuzojë dikë tjetër për hajn. Më keq akoma. Dhe në këto raste qytetari jo vetëm e anashkalon kritikën e një personi të tillë, por krijon neveri për të.
Eshtë koha që opozita në Kosovë të reformohet thellë dhe t’i rikthejë vetes presitigjin e të bërit opozitë. Nëse e bën këtë, atëherë ajo do të rikthehet në pushtet. Nëse jo, duhet të llogarisë për një opozitarizëm të gjatë. LDK me listën e kandidatëve për deputetë ka dhënë një shembull të sajin. Ajo dha mesazhin se është e aftë dhe e zonja të bëhet kridibile në opozitarizmin e vet. Të shohim se çfarë do të ndodhë me PDK-në dhe partitë e tjera opozitare.