Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se sa më gjatë të zgjasë lufta e Rusisë kundër Ukrainës, aq më e lartë do të jetë kostoja për Moskën. Ajo i bëri këto komente pas takimit të “Koalicionit të Vullnetit” me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Londër.
Sipas saj, edhe pse mekanizmat e kompensimeve financiare janë kompleksë nga ana strukturore, synimi kryesor është rritja e kostos së luftës për Rusinë.
“Do t’i kushtojë shtrenjtë Rusisë që presidenti Putin të vazhdojë një luftë që ka shkaktuar humbje të mëdha njerëzore dhe ka shkatërruar infrastrukturën e Ukrainës,” u shpreh von der Leyen.
Ajo theksoi se mbrojtja e Evropës është përgjegjësi e vetë kontinentit dhe se tashmë po punohet në mënyrë operative për hartimin e planeve konkrete dhe projekteve të përbashkëta për rritjen e gatishmërisë mbrojtëse.
“Ukraina është përfshirë në 15 nga 19 planet SAFE të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Nuk bëhet fjalë vetëm për para. Ukraina po mëson mësime shumë të vështira në fushëbetejë dhe ne po mësojmë prej tyre. Duke integruar bazën tonë industriale të mbrojtjes, po krijojmë një themel të fortë për sot dhe për të ardhmen,” deklaroi ajo.
Von der Leyen nënvizoi se ofrimi i mbështetjes financiare për Kievin është thelbësor jo vetëm për qëndrueshmërinë e Ukrainës, por edhe për sigurinë e vetë Evropës.
Ajo informoi pjesëmarrësit e takimit se dy prioritetet kryesore mbeten mbështetja për Ukrainën dhe rritja e gatishmërisë mbrojtëse të kontinentit.
“Evropa, së bashku me aleatët e saj, ka mjetet dhe vendosmërinë për të rritur presionin mbi Rusinë, në mënyrë që ajo të ulet në tryezën e negociatave,” përfundoi ajo.

