Nga Ermal Mulosmani
Raporti i shqiptarëve me Amerikën, prej se e mbaj mend unë, ka qenë një raport servilizmi e nënshtrimi. Të dërmuar e në prag urie nga sundimi komunist 40 vjeçar, mezi pritëm dhe u hodhëm krahëhapur drejt armikut më të egër të tij, gringove amerikanë. Është mënyra jonë për të shfaqur urrejtjen ndaj armikut të ri – pa ekuilibër, pa arsye, përplot emocione dhe dashuri të pakërkuar- hidhemi drejt armikut të tij më të madh!
Skena e pritjes së James Bekerit, Sekretarit Amerikan të Shtetit, më 30 qershor 1991, ka qenë një nga kulmet e pakuptimshmërisë së servilizmit kombëtar. Ka qenë mitingu më i madh dhe entuziasmi më delirant popullor që kam parë ndonjëherë; një pritje që e mahniti edhe Amerikën.
Kishin zbuluar një komb që i do pa kushte. Megjithëse në pushtet ishin akoma komunistët e Ramiz Alisë, ajo vizitë ishte haptas një përkrahje për ndryshim. Në tribunën e Bekerit spikaste Kryetari i Opozitës së sapoformuar, Sali Berisha.
Lumturia e Berishës lexohej në çdo milimetër të qenies së tij; tike nervore të pakontrolluara i dekonspironin emocionet, vetullat dhe buzët e Berishës kërcenin në mënyrë kaotike, si me magji, nën ritmin eksitues të brohorimave të turmës dhe dekorit euforik të gishtave triumfues në formë V-je. Kam qenë edhe vetë pjesë e asaj turme që bërtiste. I palodhur në brohorima, me besimin se demokracia është Amerika, nuk reshta për dy orë duke sfiduar të nxehtin dhe shtrëngimin që më vinte nga të katër anët. Mbaj mend se u zura me njërin që më dilte përpara, më i gjatë se unë. Po më zinte Bekerin…
Amerikani më i madh ndër shqiptarë ishte Sali Berisha. Ai kurrë nuk arrinte të përmbante emocionet kur vinte puna te takimet me amerikanë. Ishte si me thënë një bashkëqeverisje shqiptaro-amerikone e Shqipërisë. Këta të tjerët, në PD, ishin pak më të përmbajtur e racionalë. Si me thënë pak me më këmbë në tokë.
Dashuria, si të gjithë dashuritë e kësaj toke zgjati pak, as tri vjet…
Befas, Berisha zbuloi se “amerikonët” na duan ne por i duan grekët pak më shumë.
*****
Kishte ndodhur masakra e Peshkëpisë; një komando greke ishte futur në brendësi të territorit shqiptar, kishte vrarë disa ushtarakë shqiptarë, plagosur nja 5 a 6 të tjerë dhe kishte poshtëruar gjithë repartin ushtarak me rreth 130 persona.
Nuk kishte ku të shkonte më rëndë poshtërimi.
Në një përpjekje për të vënë nderin në vend, shteti i Berishës burgosi 5 minoritarë nga Omonia si bashkëpunëtorë në sulmin e Peshkëpisë. Kjo acaroi grekët, të cilët, shfrytëzuan ndikimin e vet në Shtëpinë e Bardhë për të ndërmjetësuar me Berishën për lirimin e tyre.
Imagjinoni pak, shqiptarët të lënduar në sedër nga poshtërimi publik, po u kërkohej një riposhtërim : “Lirimi i menjëhershëm i minoritarëve!”
Berisha, megjithë dashurinë servile dhe nënshtrimin pa kushte të deriatëhershëm, nuk pranoi. Për të zezën e vet.
Amerikonët ia hoqën vizën përfundimisht. Ai shihej si delja e zezë mes shqiptarëve përpara se të bënte asnjë mëkat të madh, nga ato që vërtetë quhen mëkate të Berishës. Ishte Shtator i vitit 1994.
Mariza Lino dhe Jozef Limpreht, ambasadorët amerikanë të viteve 96-2002. e tejkaluan çdo etikë diplomatike në përbuzjen e ish-presidentit dhe kryetarit të opozitës. Administrata amerikane nuk ia fali kurrë refuzimin për lirimin e minoritarëve. Ata nënqeshën kur Berisha u tha: “Kjo është çështje e gjyqësorit”. Ata e dinin mirë se për çfarë gjyqësori bëhej fjalë.
Dosja Berisha në DASH u fry nga ngjarjet e 96-97’-ës. Aty Berisha vdiq politikisht për Amerikën.
Bashkë me përfundimin e këtij raporti dashuri-nënshtrimi, përfundoi edhe vala e pakontrolluar e dashurisë së shqiptarëve për Amerikën. Ish-komunistët nuk është se e kishin dashur kurrë thellë-thellë Amerikën. Për ta ajo ishte “xhandari ndërkombëtar i popujve” siç e kishte përcaktuar Enver Hoxha.
Euforia amerikone e shqiptarëve nuk ishte sunduese si në 92-shin.
Megjithatë, sulmet e NATO-s ndaj Serbisë në 99, e kthyen edhe një herë valën e dashurisë e të mirënjohjes! Me thënë të drejtën tani me një bazë krejt të justifikueshme. Shqiptarët e Kosovës duhet t’i jenë mirënjohës përjetë Amerikës! Liria e tyre është merita pikësëpari e amerikanëve. Por të kthehemi edhe një herë te shqiptarët e Shqipërisë.
*****
Shpallja non grata e Sali Berishës nga SHBA ishte veprimi më i gabuar politikisht, shprehje e padurimit të tyre shumëvjeçar për ndëshkim. Ai vendim, i pashembullt deri atëherë, i marrë ndoshta me qëllimin e mirë për çlirimin e opozitës nga ndikimi berishian, ndoshta për t’i hapë rrugë ndëshkimit të tij nga drejtësia, ndoshta për të dhënë shenja se Amerika ka qëllim të rrisë ndikimin e saj në Shqipëri a ku di unë se çfarë, ishte një dënim me vdekje i öpozitës së Shqipërisë! E çliruan nga Berisha por nuk mbeti öpozitë! Prej vitesh Berisha ishte sinonim i saj…
*****
Partia Demokratike ishte e tillë deri më 13 gusht 1992, as 20 muaj pas krijimit të saj. Partia e krijuar nga studentët dukej demokratike nja dy muajt e parë, derisa instiktet e lidershipit të Berishës do të stepnin themeluesit e tjerë për një moment të dytë. Dhe momenti erdhi në gushtin e 92-shit. Një mocion me firmat e njerëzve më të famshëm të PD-së së kohës, Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Neritan Ceka, Arben Imami, Demeti u bë publik në një konferencë partie të jashtëzakonshme. Në përfundim të asaj konference mocionistët u përjashtuan, linçuan, shanë e përdhosën nga militantët në stilin e partisë së Hoxhës. Mungonte vetëm ndëshkimi me burg. Atë ditë u pa që ajo parti kishte vetëm emrin Demokratike. Në fakt ajo ishte partia e Sali Berishës! Kështu ka qenë qysh nga 13 gushti i 92-shit deri në ditën kur DASH vendosi ta shpallë non grata. Trupa kryesore elektorale e asaj Partie ishte e motivuar nga karizma dhe lidershipi berishian. Atij trupi i bashkoheshin edhe grupe të tjera interesi që, pasi e provuan veten dhe nuk e gjetën elektoralisht, erdhën dhe iu ribashkuan duke ulur kokën. Kujtoj mocionistët, Pollon etj etj.
Berisha ishte strumbullari elektoral i partisë. Në vitin 2013, i përzgjedhuri i tij, Lulzim Basha do të trashëgonte votat berishiane pasi shihej si mbështetësi kryesor i tij, kryebesniku.
******
Amerikanët vendosën të godasin Berishën pas zgjedhjeve. Ndoshta menduan se ndikimi i tij në elektorat ishte i pakonsiderueshëm, se berishizmi kishte marrë fund. Ai vendim ishte grushti i fundit ndaj öpozitës, ai i nokautit përfundimtar pas shumë nock- downeve…
Berisha mund të burgosej për krimet e pretenduara, kjo do të shkatërronte pasuesit e tij por do të forconte shpirtin opozitar. Amerikanët, për 5 vjet (2016-2021) kishin udhëhequr Reformën në Drejtësi, kishin premtuar se në përfundim të saj do të “peshkonin” peshkun e madh. Ja ku e kishin rastin! A donin “të ngushëllonin” shqiptarët e etur për gjak pushtetari me një politikan të nivelit të lartë? Bujrum! Merreni arrestojeni Sali Berishën. Urdhërojeni SPAK-un siç e urdhëroni publikisht strukturat e drejtësisë për zgjedhjen e Kryeprokurorit, siç urdhëroni organet e vetingut për shkarkime selective të arrestojë Berishën menjëherë sapo e shpallni non grata!
Por jo!
Amerikonët konsoliduan Edi Ramën për sa kohë ai të jetë gjallë! Krijimi i dy fraksioneve të PD-së, krijimi i një poli amerikan, inferior, që lufton me gjithfarë epitetesh e argumentesh, të qena e të paqena, shumicën berishiste, është fundi i öpozitës!
Shiheni polin amerikan të PD-së sesi shpërndan mesazhet e Yuri Kim, si shan e përqesh përditë kolegët e tyre të krahut tjetër, sivëllezërit me të cilët ndanë vuajtjet dhe gëzimet deri para dy vitesh. Të mbysin epitetet “rrethrrotullimi, stadiumi, salikratët”.
Ej, këto janë më të lehtat e atyre çka lexoj në rrjet. Poli amerikan i PD-së do të marrë edhe logon, vulën, selinë, financimet. Me pretendimin (me një farë të drejte) se Kuvendi i Stadiumit i shkelmoi proçedurat e thirrjes. Me shumë gjasë edhe do ta marrin nga gjykata me ndihmën e ambasadës. Ata e quajnë fare të parëndësishëm faktin se nuk përfaqësojnë shumicën në atë parti. Ata bëjnë ironi me konceptin e tejkaluar, arkaik, të shumicës. Një ditë thonin se shumicë ishin edhe komunsitët dhe pakicë të burgosurit. Sigurisht kishin të drejtë. Prandaj komunistët mbajtën pushtetin ndërsa kundërshtarët burgun. Se kështu është ndërtuar demokracia. Madje edhe ajo amerikane.
Sot, servilët e amerikonëve, janë aleatët më të mëdhenj të pushtetit, janë antopozitarë. Sado që nuk më pëlqen Berisha dhe e quaj të tejkaluar prej të paktën 10 vitesh, nuk mund të refuzoj fshatin që duket: Berisha edhe sot tërheq 70% të votave opozitare.
Çfarë do të bëjnë amerikonët e PD-së me këta votues, si do i marrin? Duke i tallur, përqeshur e përbuzur në stilin e Ramës?! Edhe Ceka, Pashko, Imami, Hajdari, Pollo etj, nuk e donin Berishën më shumë se ju por u bashkuan sepse nuk kishin të ardhme. Partia e Pollos në vitet 2000 ishte partia e preferuar e amerikonëve dhe evropianëve por u dorëzua jo se deshi Berishën por se nuk pa mënyrë tjetër për të ardhë në pushtet. Amerika i përkrahu sa mundi por nuk u dha dot vota. Derisa Pollo erdhi në vathë…
Nuk mundet që shumica e postimeve të ndjekësve amerkanë të PD-së të jenë kundër grupit tjetër. Kjo padyshim është shërbimi më i madh që mund t’I bëhet Edi Ramës. Kjo është vdekja e opozitës.