Tre fëmijët e 50-vjeçarit Pëllumb Meta, janë arrestuar në lidhje me vrasjen e babait të tyre.
Përmes një deklarate për shtyp, Drejtori i Policisë së Durrësit, Skënder Hita u shpreh se pas veprimeve hetimore të kryera, u arrit në përfundimin se vrasja u krye nga djali i madh i viktimës, me armë zjarri, në bashkëpunim me motrën e tij 19-vjeçare.
Ndërkaq, në pranga u vu edhe djali tjetër, Amarildo Meta 24-vjeç, teksa bashkëshortja e viktimës do të hetohet në gjendje të lirë.
“Më 22 shkurt, nga tërësia e veprimeve hetimore, u arrit të gjendet edhe trupi i viktimës, ishte i varrosur në afërsi të banesës, u krye zhvarrimi i tij, u transportua dhe pas ekspertizës u konkludua se viktima është vrarë me armë zjarri. Nga provat e sigurura nga të gjithë veprimet hetimore, u arrit që të gjendeshin provat. U arrestua Hysen Meta, 24 vjec, shtetasja 19 vjec, të dy fëmijë të viktimës, që kanë qenë bashkëautorë. Eshte arrestuar edhe djali tjetër, Amarildo Meta 22 vjeç” – tha policia në një deklaratë për shtyp.
Gjithashtu policia u shpreh se krimi ishte i mirëmenduar pas konflikteve të vazhdueshme mes viktimës dhe anëtarëve të tjerë të familjes.
“Nuk është një konflikt i çastit, është një ngjarje që familjarët e kanë mirëmenduar. Ekzekutorja e ka pranuar akuzën dhe ka shpjeguar rolin që ka pasur. Motra në momentin e parë e ka pranuar që e ka kryer ajo këtë krim të rëndë, por hetimet e thelluara bën që ne të vazhdojmë pasi ajo mori përsipër të gjithë krimin. Është vërtetuar nga mjekësia ligjore dhe data e vrasjes ishte 10 shkurt, dita kur u zhduk”. – u shpreh Hita.