Hetimet për vrasjen e 49-vjeçarit Jani Aliaj në burgun e Koridhalos në Greqi kanë marrë një drejtim të ri gjatë orëve të fundit, duke hedhur dyshime mbi autorësinë e krimit.

Sipas policisë greke, i dyshuari kryesor për eliminimin e Aliajt është 44-vjeçari nga Tepelena, Xhuliano Halili. Ky i fundit ndodhej në të njëjtin sektor dhe në qeli pranë viktimës, ndërsa pas ngjarjes rezultoi i plagosur në rrethana të paqarta. Dyshimet janë forcuar edhe nga fakti se një tjetër i burgosur, shtetasi grek 27-vjeçar Kristos Vardhuniotis, u vetëdeklarua si autor i vrasjes duke thënë “unë e vrava”, pavarësisht se nuk u konstatuan shenja përleshjeje.

Nga ana tjetër, prania e Halilit i plagosur në vendngjarje ka ngritur pikëpyetje të forta, veçanërisht duke pasur parasysh se ai kishte kryer edhe më herët një vrasje brenda burgut të Koridhalos, dy vite më parë, ndaj Alfond Ndocit.

Burime nga ambientet e burgjeve bëjnë me dije se prej kohësh është përfolur se autori i vërtetë i vrasjes së Jani Aliajt mund të jetë Halili, ndërsa i burgosuri grek dyshohet se mund të jetë paguar ose kërcënuar për të marrë përgjegjësinë. Këto informacione thuhet se kanë mbërritur tashmë edhe tek autoritetet greke, të cilat kanë intensifikuar hetimet.

Sipas burimeve të tjera, Jani Aliaj kishte qenë prej vitesh nën dyshim se ishte përfshirë në përplasjet e të ashtuquajturës “Mafia greke”, për shkak të aludimeve se mund të kishte qenë i përfshirë në eliminimin e një figure të njohur të grupeve kriminale që kontrollojnë jetën e natës në Greqi. Megjithatë, këto dyshime nuk janë provuar asnjëherë zyrtarisht.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *