Nga Agim Morina
Vrasja e parë e Enver Hadrit qenka përmbyllë në Bruksel.
Sa lajm i mirë e sa lajm i trishtë njëkohësisht. Lajm i mirë, sepse kriminelët u gjetën dhe u dënuen me emën e me mbiemën: oficeri i UDB-së, Božidar Spasići, dhe dy kriminelë të nëntokës serbo-malazeze, Andrija Draškovići i Veselin Vukotići u dënuen me dënim të përjetshëm. Dy të tjerë që ishin pjesëmarrë në këtë vrasje, Andrija Lakonići dhe Darka Ašanini, janë vra gjatë qërimeve të hesapeve mes bandave të nëntokës serbe.
Por, për fat të keq, Enver Hadri, sikurse shum heroj të tjerë shqiptarë, pësoi edhe vrasjen e dytë, shum ma të randë, shum ma trishtuese, shum ma të dhembshme dhe shum ma jetëgjatë: vrasjen prej thashethemnajash.

Që nga dita e vrasjes së Enver Hadrit, nëpër Kosovë e gjetiu u vunë në qarkullim fjalë se Enver Hadri kishte qenë “spiun i UDB-së”, “bashkëpunëtor i shërbimeve të ndryshme”, “njeri i Jugosllavisë”. U përhapën me shpejtësi marramendëse shpifje rreth jetës së tij private. Thuhej e çfarë nuk thuhej. Shkruhej e çfarë nuk shkruhej. Shpifej e çfarë nuk shpifej rreth tij. Kjo gja, kur e kujtoj edhe sot, më shkakton një trishtim të tmerrshëm dhe po e shkruj me këtë shije trishtimi, me gjithë lajmin e mirë që gjykata në Bruksel ka marrë një vendim të tillë për kriminelët e Serbisë klerofashiste. Burimet e kësaj propagande anstishqiptare janë, pa asnjë dyshim, në Beograd. Ashtu siç vijnë nga Beogradi edhe propaganda të tjera të veshuna me zellin e rrejshëm “demokratik” dhe “të fjalës së lirë”.
Shpifje të këtilla antishqiptare ka pasë e ka edhe sot, ndër të tjerë, edhe kundër Skënderbeut, Pjetër Bogdanit, Vaso Pashës, Abdyl Frashërit, Isa Boletinit, Shaban Polluzhës, Adem Damaçit, Ali Lajçit, Jusuf Gërvallës etj. etj. Dhe qëllimi dihet: të mos mbetet asnjë hero shqiptar i papërlyem.
Le të jetë edhe ky një rast reflektimi, që njerëzit të kuptojnë që asnjë atdhetar nuk ka çfarë me dhanë ma shum se jetën e tij. Se vrasja me thashethemnaja burimin e ka gjithmonë te armiqtë ma të egër dhe shpirtshitunit shqiptarë dhe duhen me ba përpjekje mos me ra viktimë e një propagande të tillë. Kjo ka ndodhë atëherë dhe ndodh edhe sot. Një mënyrë me i luftu këta asht mos me u besu, me ua bojkotu mediat e portalet dhe mos me pranu kurrfarë shoqnie në rrjetet sociale.