Mbrëmja e së hënës u shënua nga një ngjarje tragjike në Velipojë, ku një përplasje e armatosur la të vdekur dy persona dhe plagosi një tjetër. Konflikti, i cili filloi si një zënkë banale dy muaj më parë, përfundoi me vrasjen e Ersild Ishmit, 33 vjeç, dhe kunatit të tij Arsid Hoxha, 22 vjeç. Autorët e dyshuar të këtij krimi janë vëllezërit Eduard dhe Gëzim Frroku, pronarë të një hoteli në zonë, të cilët janë aktualisht në arrati.
Incidenti ndodhi rreth orës 21:00 në ambientet e hotelit “Holiday”, në pronësi të vëllezërve Frroku. Sipas policisë, konflikti që çoi në këtë tragjedi kishte nisur që më 28 qershor, kur në hotel shpërtheu një sherr midis një kamarieri dhe një kuzhinieri. Në këtë situatë ndërhyri Ersild Ishmi, i cili kishte lidhje miqësore me kamarierin, duke e mbrojtur atë dhe kërcënuar kuzhinierin me armë zjarri. Kjo ndërhyrje e tij përfundoi me arrestimin e tij nga policia, ku më vonë, gjykata e vendosi Ishmin në arrest shtëpie.
Megjithatë, mbrëmjen e 19 gushtit, Ishmi theu masën e sigurisë dhe, së bashku me kunatin e tij Arsid Hoxha, u kthye në hotelin “Holiday” për të vazhduar konfliktin me vëllezërit Frroku. Debati mes palëve degradoi shpejt në të shtëna me armë, ku Hoxha dhe Ishmi u qëlluan për vdekje. Hoxha mori dy plumba, një në gjoks dhe një në bark, ndërsa Ishmi u godit me tre plumba, dy në gjoks dhe një në bark. Ata u transportuan me urgjencë në spital, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, të dy ndërruan jetë si pasojë e plagëve të rënda.
Gjatë përplasjes, një kamarier i lokalit afër vendngjarjes, Zyber Z., u plagos gjithashtu në këmbë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Shkodrës ka nisur një operacion për kapjen e vëllezërve Frroku, të cilët akuzohen për ekzekutimin e dyfishtë. Ndërkohë, hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes vazhdojnë, ndërsa janë arrestuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në këtë konflikt të përgjakshëm.