Gerti Bushati dhe Ergys Ibrahimi janë dy nga katër të rinjtë e dyshuar si autorë të vrasjes së 67-vjeçarit Hysni Ymeri në Shkodër, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik jo vetëm për brutalitetin, por edhe për motivin banal që qëndron pas saj.

Sipas hetimeve paraprake, viktima humbi jetën si pasojë e një shpërthimi të qëllimshëm të vendosur pranë një kabine elektrike. Lënda plasëse dyshohet se është vendosur nga Gerti Bushati, i cili kishte marrë masa për të fshehur identitetin, duke u maskuar me kombinoshe dhe kapuç. Pas aktit, ai tentoi të zhdukte gjurmët duke hedhur rrobat në një lum, një përpjekje e pasuksesshme për t’iu shmangur drejtësisë.

Hetuesit dyshojnë se eksplozivi është aktivizuar në distancë nga Edison Hasaj. Ndërkohë, në seancën gjyqësore të zhvilluar sot, Bushati ka pranuar se ka vendosur tritolin, por ka pretenduar se ishte bindur nga tre të tjerët se qëllimi ishte vetëm frikësimi i viktimës, jo vrasja.

“Kur mora vesh se ka vdekur shtetasi Hysni Ymeri jam tmerruar. Nuk kam pasur dijeni për vrasje, por vetëm për ta trembur. Shtetasit Gjergj Zefi, Edison Hasaj dhe Ergys Ibrahimi më kontaktuan për këtë punë dhe unë e pranova. Tritolin e vendosa më 27 dhjetor, pa e ditur se do të shkaktonte vdekje,” ka deklaruar ai.

Nga ana tjetër, Edison Hasaj, Ergys Ibrahimi dhe Gjergj Zefi kanë mohuar çdo përfshirje, duke zgjedhur të mos japin deklarime lidhur me një ngjarje që ka lënë pas një viktimë dhe shumë pikëpyetje.

Ajo që e rëndon edhe më shumë këtë krim është motivi: para. Jo hakmarrje apo konflikt i drejtpërdrejtë, por vetëm 1 mijë euro në total, të ndara në katër pjesë, nga 250 euro për secilin. Një shumë minimale, që tregon se sa pak është vlerësuar jeta e një njeriu dhe sa thellë ka degraduar morali, kur vrasja shihet si një “punë me pagesë”.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *