Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur këtë të hënë në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit dhe humbi jetën.
Sipas burimeve zyrtare, autori i dyshuar i ngjarjes është shtetasi Gjon Shkëmbi, një emër jo i panjohur për publikun.
Prej disa vitesh, Shkëmbi ka qenë i përfshirë në një konflikt pronësie në Shkodër, të cilin e ka denoncuar në media dhe në disa emisione investigative. Ai ka pretenduar se 31 familje i kishin zaptuar një pallat dhe truallin në pronësi të tij në qytetin verior.
Shkëmbi është shfaqur herë pas here në kronika lajmesh dhe programe televizive, ku ka shprehur pakënaqësinë ndaj institucioneve të drejtësisë për trajtimin e çështjes së tij.
Ndërkohë, policia ka arrestuar menjëherë autorin dhe ka nisur hetimet për të zbardhur motivet e sakta që çuan në këtë akt të rëndë brenda një institucioni gjyqësor.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në sistemin e drejtësisë dhe reagime të shumta nga opinioni publik, ndërsa pritet reagimi zyrtar i institucioneve përkatëse.