Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit në aksin rrugor Thumanë–Krujë, ku një konflikt mes dy personave ka përfunduar me humbjen e jetës së një 57-vjeçari.
Sipas Policisë, viktima është identifikuar si Petrit Ndou, 57 vjeç, ndërsa në pranga është vënë autori i dyshuar, Andi Vokri, 28 vjeç. Dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta dhe gjatë përplasjes fizike, i riu e ka goditur 57-vjeçarin me sende të forta, duke i shkaktuar vdekjen.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë shoqëruar autorin e dyshuar, si edhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për rrethanat e incidentit. Për shkak të hetimeve në vijim, autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e të gjitha rrethanave. Në përfundim të veprimeve hetimore, pritet të jepet informacion më i detajuar.

