Raportimet nga Kosova Press
Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë një polic i Kosovës, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Leposaviqit ku është sulmuar patrulla policore.
10:35 Pjesëtarë të policisë në shtëpinë e rreshterit të ndjerë Bunjaku
Pranë shtëpisë së policit të vrarë, Afrim Bunjaku, po qëndrojnë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
10:21 Mblidhet Këshilli i Sigurisë
Në ora 10:00 ka nisur takimi i Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës pas ngjarjes së rëndë që ka ndodhur në veri të vendit
10:11 Ngrihet gjendja e gatishmërisë në institucionet shëndetësore
Pas ngjarjeve të ndodhura në veri të Kosovës, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka ngritur gjendjen e gatishmërisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitalet e përgjithshme.
10:01 Operohet me sukses polici i plagosur Alban Rashiti
Polici i plagosur Alban Rashiti është operuar me sukses në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ku i është hequr predha nga krahasori i majtë.
9:49 Shtohen forcat policore në fshatin Banjska
Situata aktualisht në fshatin Banjska në komunën e Zveçanit është e qetë dhe vërehet një numër i madh i policëve të Kosovës. Ndërsa, ka edhe forca të EULEX-it, të cilët kanë shkuar në vendin e ngjarjes.
9:40 Vrasja në veri, mbyllet pika kufitare në Bërnjak
Është mbyllur për hyrje nga Serbia, pika kufitare në Bërnjak. Kjo pas ngjarjes tragjike, ku është vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku nga grupet kriminale në fshatin Banjskë të Leposaviqit.
9:28 Vrasja e policit, Konjufca: I kërkojmë faktorit ndërkombëtar ta dënojë Serbinë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të dënojë Serbinë për agresionin ndaj Kosovës. Pas ngjarjes tragjike, ku ka mbetur i vrarë një polic i Kosovës në fshatin Basnjska të Leposaviqit nga grupet e armatosura serbe, Konjufca ka shkruar se ky është sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues.
9:10 Zbulohet identiteti i policit të vrarë në veri
Siç bëhet e ditur polici që ka humbur jetën është rreshteri Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë i Vushtrrisë.
8:56 Vrasja e policit në veri, Haradinaj: Sulm terrorist që godet paqen në Kosovë dhe rajon
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit ku banda kriminale serbe kanë vrarë një pjesëtar të Policisë së Kosovës dhe kanë plagosur të paktën një tjetër.
8:15 Granata dore e zollë, detaje nga sulmi në veri ku mbeti i vrarë një polic
Policia ka dhënë detaje se si ka ndodhur ngjarja.
08:01 Zhvillimet në veri, Osmani ndërpret vizitën zyrtare në Nju Jork
Presidentja Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën zyrtare në Nju Jork pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës ndërsa një tjetër i plagosur.
7:43 Osmani: Vrasja e policit, sulm ndaj Republikës
Presidentja Vjosa Osmani reagoi pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në fshatin Banjska të Leposaviqit. Këtë ngjarje ajo e cilësoi si sulm ndaj Republikës së Kosovës e organizuar dhe orkestruar nga bandat kriminale serbe.
07:28 Vritet një polic në veri
Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë një polic i Kosovës, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Lajmi është dhënë nga kryeministri Albin Kurti përmes rrjeteve sociale. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Leposaviqit ku është sulmuar patrulla policore.