Nga Arbër Zaimi

Vuçiqi sot ka akuzuar Shqipërinë, Kroacinë e Kosovën se sipas tij paskan lidhur një aleancë ushtarake sulmuese. E cili na paska akuzuar, ky person që është shprehur para pak vitesh se Millosheviçi synimet i kishte të duhurat, por ja që dështoi me mjetet ndaj pagoi çmim të rëndë!

Ndërkohë po sot kur Vuçiqi ankohet, shërbimet e Kroacisë kanë informuar zyrtarisht shërbimet e Bosnjë Hercegovinës se ka interceptuar plane që gjatë natës së sotme të ketë sulme në pika kufitare të atij vendi. Shpresojmë që komunikimi dhe marrja e masave ta shmangin çdo rrezik a sulm të mundshëm në Bosnjën fqinje.

Serbia është shpenzuesi më i madh për ushtri në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky vend shpenzon miliarda për të blerë armatim nga Amerika, Gjermania, Turqia, Izraeli apo kudo që mundet, madje edhe aeroplanë francezë, tanke rusë, raketa kineze e dronë iranianë.

Si të mos mjaftonin këto, Serbia mbron, stërvit, paguan dhe armatos banditë paramilitarë, që kanë organizuar sulme terroriste në rajon, si ai i Banjskës në Kosovë ku u vra një polic, apo si ai mbi ujësjellësat e Kosovës, që mund të kishte lënë pa ujë të pijes gjithë popullatën civile. Paramilitarë serbë që janë kapur edhe në vende të largëta, duke u angazhuar si mercenarë e agjentë destabilizues, në mbështetje të agresorëve.

Kur Vuçiqi ankohet se pse fqinjët po formojnë një “cluster” për mbrojtje, ai bën sikur nuk e di se Serbinë të rrezikshme nuk e bën vetëm e kaluara e saj, por sidomos e tashmja.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *