Nga Enver Bytyçi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas protestave të ditëve të fundit të dhjetëra-mijëra studentëve kundër tij, vendosi më në fund ta zbulojë fytyrën e tij, atë fytyrë që ne ia kemi zbuluar gjithmonë. Duke folur të mërkurën e kaluar me të rinjtë e partisë së tij, ai i akuzoi protestuesit se “për para bëjnë punë të pista”! Por interesant është fakti se zoti Vuçiq konfirmoi përfundimisht përkatësinë dhe mbështetjen e plotë të politikave ruse në Ukrainë. Ai u zotua se “Nuk do ta njohë kurrë, sa të jetë gjallë, pavarësinë e Kosovës dhe shtetësinë e saj”!

Për herë të parë ai pranoi publikisht se njohjen e Kosovës nuk e bën, sepse kjo do të shkonte në dëm të interesave ruse. Vuçiq tha se njohja e Kosovës nga Serbia u nevojitet perëndimorëve për të kundërshtuar presidentin rus, Vladimir Putin. Perëndimorët, tha presidenti serb, e duan njohjen e Kosovës nga ne “që t’i thonë Putinit – mos u refero te precedenti i Kosovës, kur flet për Khersonin, Zaporizhian, Donetskun, Luhanskun e Krimenë, sepse kjo nuk vlen më. Kemi bërë një marrëveshje dypalëshe mes Beogradit dhe Prishtinës dhe tani nuk mund ta përdorësh më këtë argument!” Domethënë Vuçiq nuk dashka t’ia heqë presidentit rus, Putin, alibinë për ta ndarë Ukrainën.

Kjo deklaratë e liderit serb sillet për herë të parë në publik dhe zbulon faktin se Vuçiq është peng i Kremlinit. Duke pranuar se presioni i SHBA-ve dhe BE-së ndaj Beogradit për njohjen e Kosovës është presion që ia heq Moskës alibinë e pushtimeve në Ukrainë, Vuçiq pranoi se këtë njohje nuk e bën pikërisht sepse ai mbështet politikën e agresionit rus në Ukrainë. Të gjitha manovrimet e derisotme ranë poshtë. Të mërkurën bota mësoi se Serbia nuk është asnjanëse në çështjen e konfliktit Rusi-Ukrainë. Ajo thjesht e ka përdorur dërgimin e municioneve në Ukrainë si alibi për të neutralizuar sanksionet e perëndimit kundër Serbisë për mosvendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Kjo deklaratë nxori zbuluar edhe përpjekjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili pak javë pas sulmit rus kundër Ukrainës, në një samit të NATO-s, u bëri thirrje krerëve të shteteve anëtare të saj “të mos e qortojnë Serbinë pse ajo nuk vendosi sanksione kundër Rusisë”! “Serbia, – tha Rama, – është në një pozicion të vështirë dhe duhet kuptuar!” Më shumë se kaq nuk mund të bënte as Lavrov, po të merrte pjesë si i ftuar në një samit të Aleancës Atlantike. Por në vend të Lavrovit këtë lloj shërbimi kaq të madh ia bëri Serbisë pseudo-shqiptari, Edi Rama. Nuk e di si është ndjerë kryeministri në ikje i vendit tim me deklaratën e mësipërme për vëllanë e tij binjak, Aleksandër Vuçiq! Nuk e di a e kuptoi më në fund se gjatë gjithë kësaj kohe është goditur Albin Kurti për veprat pro-Rusisë të presidentit të Serbisë.

Deklarata e Vuçiqit na bën me dije se mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është një vepër e Beogradit me prapavijë për të ndihmuar pozicionin e Rusisë në negociatat e mundshme për paqen në Ukrainë. Pra, është një shërbim për të realizuar nga pikëpamja e argumentit teorik ndarjen e territorit të Ukrainës. Me siguri që ai beson se me ndarjen e Ukrainës krijohen kushte të favorshme për ndarjen e Kosovës. Por në fakt, edhe sikur të përdoret si argument Kosova për ndarjen e Ukrainës dhe nëse fuqitë perëndimore do ta pranojnë këtë argument, kjo do të thotë përfundimisht njohje ndërkombëtare e shtetit të Kosovës. Sepse Rusia, nëse e përdor Kosovën si provë, atëherë do të detyrohet edhe ta njohë faktin e shtetësisë së Kosovës. Ndërkaq, Serbia mbetet me gisht në gojë. Ajo nuk do të kishte asnjë shans më ta ndalte njohjen e drejtpërdrejtë të Kosovës në mbledhjen më të parë të Këshillit të Sigurimit.

Atëherë pse Vuçiq e luajti lojën e Kosovës për kaq kohë në favor të Rusisë, duke e fshehur qëllimin e tij të vërtetë? Sepse donte të nxirrte sa më shumë nga Kosova. Donte që të aneksonte veriun e saj. Donte krijimin e Asociacionit. Ndërkohë që prej të mërkurës ranë të gjitha rrenat. Tani edhe Christopher Hill, optimisti më i madh i ndryshimit të kursit të Serbisë drejt perëndimit, besoj se është shumë i zhgënjyer. Të zhgënjyer duhet të ndjehen të gjithë miqtë e Serbisë në SHBA dhe në Europën e Bashkuar. Përveç Edi Ramës, për të cilin jam i bindur se mban lidhje përmes Aleksandër Vuçiqit edhe me Kremlinin dhe tashmë është peng edhe i Beogradit, edhe i Moskës.

Nga deklarimet e Aleksandër Vuçiqit mësojmë se armiq të Serbisë paska qenë Perëndimi dhe Natasha Kondiq. Miku më i mirë i tij ishte dhe mbetet Vladimir Putin. Tani le të vazhdojnë ata të shpresojnë te ndryshimi që do të sillte presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq! Protestat në Beograd duhen përshëndetur, qoftë edhe për këtë efekt. Tashmë antishqiptarët në gjuhë të huaj dhe ata shqipfolës nuk do të kenë më alibi për të sulmuar qëndrimet e qeverisë së Kosovës në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit! Sepse Vuçiq, te i cili shpresonin, doli hapur!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *