Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosh ka reaguar për zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës. Sipas diplomatit holandez, ngjarjet e fundit në Kosovë me largimin e serbëve nga institucionet e vendit, tregojnë qartë se këto janë veprime të orkestruara nga Beogradi dhe se kjo situatë nxori në pah fytyrën e vërtetë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq i cili nuk dëshiron të ketë paqe as pajtim me Kosovën. “Ky veprim i stimuluar nga Beogradi minon gjithçka që është arritur në më shumë se 10 vitet e fundit në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Do të thotë se regjimi i Vuçiqit e tregoi fytyrën e vërtetë: Nuk ka dëshirë për paqe dhe pajtim. Ku do të shkojmë…”- ka shkruar Bosh në rrjetet sociale.
Serbët e Kosovës vendosën të braktisin institucionet e Kosovës në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë Kurti për pezullimin e targave të vjetra për automjetet me targa të Serbisë. Pas largimit dhe dorëheqjeve nga postet administrative, ishin deputetët serbë ata që përmbyllën këtë proces duke dorëzuar dhe mandatet e tyre në parlamentin e Kosovës.