Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare, reagim ndaj zhvillimeve ndërkombëtare që ai i cilësoi si “krime të papara në skenën politike globale”.
Në përfundim të mbledhjes në Presidencën e Serbisë, Vuçiqi deklaroi se në rend dite ishin tri tema kryesore: siguria ushtarake dhe politike rajonale, siguria energjetike dhe aksioni i Shteteve të Bashkuara në Venezuelë.
“Pozita jonë po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar dhe komplekse”, u shpreh Vuçiqi, duke theksuar se rendi botëror po shembet dhe rregullat ndërkombëtare nuk funksionojnë më. Ai shtoi se e drejta ndërkombëtare dhe sistemi i OKB-së ekzistojnë vetëm “në letër” dhe se ligji i forcës është dominuese në politikën globale.
Presidenti serb shprehu shqetësim të veçantë për armatosjen e Kosovës, të cilën e konsideroi të kundërligjshme dhe në shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe kritikoi një “aleancë të re” midis Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, që sipas tij kërcënon sigurinë dhe sovranitetin e Serbisë.
Vuçiq njoftoi se Serbia do të forcojë njësitë speciale, do të rrisë armatimin dhe investimet në industrinë ushtarake, si dhe do të zgjasë rezervat strategjike, duke përfshirë ushqimin, ujin dhe municionin. Ai bëri të ditur se brenda një viti e gjysmë, Serbia synon të dyfishojë kapacitetet ushtarake dhe të rrisë kapacitetet njerëzore për rreth 30 për qind.
“Një pjesë e madhe e armatimit prodhohet në vend, pjesa tjetër blihet jashtë. Ky është mekanizmi i vetëm i sigurt për mbrojtjen e Serbisë”, theksoi presidenti serb. Ai gjithashtu paralajmëroi se Serbia duhet të mbështetet kryesisht te vetja: “Nëse dikush ndërmerr veprime kundër nesh, askush nuk do të na ndihmojë përveç vetes. Gjërat mund të ndryshojnë brenda natës, prandaj duhet të jemi të gatshëm”.

