Protesta e paralajmëruar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë ka hapur një përplasje të re mes Vetëvendosjes dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
LVV: Rama e shtyu krijimin e Gjykatës Speciale
Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate publike, ka shprehur mbështetje për çdo qytetar që kërkon drejtësi për drejtuesit e UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë. Sipas saj, Gjykata Speciale nuk ishte një proces i pashmangshëm, por u krijua me ndërhyrje të drejtpërdrejtë politike nga Edi Rama.
Vetëvendosje rikujton se në vitin 2015, Rama ka shkuar me urgjencë në Kosovë me helikopter për të bindur partitë të votonin themelimin e kësaj gjykate. Subjekti politik kërkon që ai të shprehë pendesë për këtë rol, të cilin e konsideron të gabuar.
Rama reagon me ironi ndaj Vetëvendosjes
Në një postim në platformën X (Twitter), kryeministri Edi Rama është kundërpërgjigjur duke e lidhur reagimin e LVV-së me rezultatin e zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë.
Ai u shpreh se “para 10 vitesh Vetëvendosje nuk e njihte as himnin e Kosovës, jo më pafajësinë e Hashim Thaçit”. Ndër të tjera, Rama theksoi se nuk është organizator apo folës në protestën për krerët e UÇK-së, por vetëm një mbështetës i saj.