Lëvizja Vetëvendosje ka bërë një përpjekje të dytë për formimin e qeverisë, edhe pse pa siguruar votat e nevojshme. Të martën, kjo parti propozoi për kryeministër nënkryetarin e saj, Glauk Konjufca, propozim që pak orë më vonë u pranua nga presidentja Vjosa Osmani, e cila e mandatoi atë për formimin e kabinetit qeveritar.
Konjufca ka kërkuar mbështetjen e opozitës, por ka përjashtuar mundësinë e ndonjë koalicioni. Ai ka deklaruar se synon krijimin e një qeverie të përkohshme për të shmangur zgjedhjet në dhjetor dhe për të mundësuar miratimin e buxhetit të vitit 2026. Megjithatë, partitë opozitare janë shprehur kundër dhënies së një shansi të dytë Vetëvendosjes për formimin e qeverisë.
Presidentja: Mandatimi është detyrim kushtetues
Osmani ka theksuar se emërimi i Konjufcës është i përcaktuar nga Kushtetuta, sipas së cilës, brenda dhjetë ditësh nga dështimi i kandidatit të parë, presidentja duhet të mandatojë kandidatin e dytë të propozuar nga e njëjta parti.
Ajo ka kujtuar se, gjatë konsultimeve me liderët e PDK-së dhe LDK-së, është bërë e qartë se asnjë subjekt tjetër nuk ka propozuar kandidat për mandatar. “Gjuha e Kushtetutës është detyruese, prandaj presidentja nuk ka hapësirë për diskrecion në këtë rast,” ka deklaruar Osmani.
Sipas saj, vendimi është marrë në interes të qytetarëve dhe për të siguruar funksionimin e institucioneve të Kosovës, pasi “qytetarët kanë humbur mjaft nga bllokimi institucional”.
Osmani ka theksuar rëndësinë e miratimit të buxhetit dhe të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, nga i cili Kosova mund të përfitojë mbi 800 milionë euro, si dhe marrëveshjen me Bankën Botërore me vlerë rreth 100 milionë euro.
Ajo ka paralajmëruar se mungesa e institucioneve mund të rrezikojë funksionimin e shtetit.
Qeveri afatshkurtër për të shmangur zgjedhjet
Këshilli i Përgjithshëm i Vetëvendosjes vendosi që Glauk Konjufca të jetë kandidati i dytë për kryeministër. Albin Kurti, i cili dështoi të marrë votat e nevojshme në përpjekjen e parë, tha se propozimi i Konjufcës synon shmangien e dy palë zgjedhjeve brenda pak muajsh.
“Le të vazhdojmë me të njëjtin kabinet, por me vendet tona të ndërruara. Le të votohet buxheti dhe plani i rritjes evropiane, e më pas të shkojmë në zgjedhje,” ka thënë Kurti, duke u bërë thirrje partive opozitare që të mos bllokojnë procesin.
Ai paralajmëroi se zgjedhjet pa miratimin e buxhetit do të rrezikonin pagat e 85 mijë shërbyesve publikë, pensionet e 300 mijë qytetarëve dhe shtesat për 400 mijë fëmijë, duke e futur vendin në një “situatë të paprecedentë”.
Konjufca: Kompromisi më i madh nga VV
Glauk Konjufca deklaroi se Vetëvendosja ka bërë “kompromisin më të madh të mundshëm”, duke propozuar një qeveri pa Albin Kurtin në krye. Ai tha se pret bashkëpunim nga opozita për të miratuar buxhetin dhe për të shmangur zgjedhjet, por pa bërë koalicione formale.
“Qëllimi është të krijojmë një qeveri që shmang zgjedhjet e menjëhershme dhe siguron miratimin e buxhetit për vitin 2026. Nëse këto nuk ndodhin, nuk do të jetë në të mirë të Kosovës,” tha Konjufca, duke shtuar se shpreson që opozita “të reflektojë”.
Pas mandatimit, ai ka në dispozicion 15 ditë për të paraqitur para Kuvendit programin dhe kabinetin e tij qeveritar.
Opozita refuzon mbështetjen për Konjufcën
Partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do ta votojnë kandidatin e ri të Vetëvendosjes.
PDK-ja tha në një komunikatë se “realiteti politik është i qartë: askush nuk ka shumicën për formimin e qeverisë” dhe se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi lëvizjen e VV-së si “shfaqje teatrale”, duke thënë se “matematikisht nuk ekziston shumicë parlamentare”. Ai akuzoi Vetëvendosjen se po zvarrit me qëllim qëndrimin në pushtet, pavarësisht mungesës së legjitimitetit.
Ndërsa Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, e quajti mandatimin e Konjufcës “shkelje kushtetuese” dhe “përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve”. Edhe Nisma Socialdemokrate deklaroi se “Kuvendi nuk ka shumicë” dhe se “zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja”.
Mbështetjen e vetme Konjufca e ka marrë nga grupi multietnik, përfaqësuar nga deputeti Elbert Krasniqi, i cili tha se “Kosovës i duhet sa më parë qeveria dhe miratimi i buxhetit”.
Për t’u zgjedhur kryeministër, Konjufca duhet të marrë të paktën 61 vota nga 120 deputetët e Kuvendit. Nëse dështon, Kushtetuta parashikon që zgjedhjet të mbahen brenda 40 ditësh.
Në legjislaturën e kaluar, Glauk Konjufca ka shërbyer si kryetar i Kuvendit të Kosovës.

