Aplikacioni i mesazheve WhatsApp ka denoncuar një përpjekje të autoriteteve ruse për të kufizuar apo bllokuar funksionimin e tij, me synimin që përdoruesit të orientohen drejt një shërbimi komunikimi të kontrolluar nga shteti.

Sipas një reagimi të publikuar nga kompania Meta, qeveria ruse ka tentuar ta pengojë plotësisht përdorimin e WhatsApp, duke rrezikuar aksesin e mbi 100 milionë përdoruesve në një mjet privat komunikimi. Kompania theksoi se po vijon përpjekjet për t’i mbajtur përdoruesit të lidhur dhe për të garantuar sigurinë e komunikimeve.

Ndërkohë, rregullatori rus ka vendosur këtë javë kufizime edhe ndaj aplikacionit Telegram, duke e akuzuar platformën për shkelje të ligjit dhe për mungesë masash të mjaftueshme në parandalimin e përdorimit për qëllime terroriste.

Telegram, i themeluar nga Pavel Durov, është një nga platformat më të përdorura të mesazheve në Rusi së bashku me WhatsApp, i cili gjithashtu është përballur me kufizime që nga janari. Durov ka reaguar ndaj këtyre veprimeve, duke deklaruar se kufizimi i lirisë së qytetarëve nuk është zgjidhje dhe duke akuzuar autoritetet ruse se synojnë t’i detyrojnë përdoruesit të kalojnë në aplikacione të kontrolluara nga shteti për qëllime monitorimi dhe censurë politike.

Në këtë mënyrë, tensionet mes autoriteteve ruse dhe platformave ndërkombëtare të komunikimit vijojnë të rriten, ndërsa masat kufizuese ndaj rrjeteve sociale me bazë të huaj po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *