Nga Klodi Stralla

Refleksione

E kam bërë zakon që herë mbas here të vendos përballë njëri-tjetrit dy personalitete historike të kohës, sepse besoj që ballafaqimet janë një metodë efikase për zbulimin e të vertetës në çdo fushë të dijes, pra edhe të të vërtetave historike.

Kur gueriljet komuniste “dekoronin” rrugëve të Atdheut njerëz të pafajshëm, duke i etiketuar ata “tradhëtarë”, ministri i brendëshem i kohës, shqiptari nga Kosova – Xhafer Deva, i sugjeroi anëtarit të Regjencës, Mehdi Frashërit, asgjësimin fizik të 200 terroristëve, për të vendosur rendin dhe qetësinë në vend, ky i fundit i thotë: – “Nuk do të pranoj të vishen në të zeza 200 nëna shqiptare!”. 

Reagimi i Devës ishte epik: – “Atëhere do të veshet në të zeza e gjithë Shqipëria!”  

Koha i dha të drejtë, ndonse ai dhe ata që mendonin si ai, u vendosën “në anën e kundërt të Historisë”!

Por kush ishte Xhafer Deva, që përfaqësonte Qeverinë shqiptare të kohës (1943-1944), të ashtuquajturën “kuislige” dhe kush ishte Miladin Popovici, ideatori dhe organizatori i P. K. SH (1941-1944), që frymëzonte dhe drejtonte si “eminencë gri” vellavrasjen mes shqiptarëve?

– Të dy kishin ardhur nga Kosova e ish Jugosllavisë. I pari, Xhafer Deva, një shqiptar, pinjoll i një familje të madhe atdhetare nga Mitrovica, fill pas shpërbërjes të shtetit jugosllav (prill 1941), drejtonte krahun nacionalist në Mitrovicë, armik i betuar i pushtuesve serbë dhe bashkëpunëtor i afërt me gjermanët. I dyti, Miladin Popovici, një serb me banim në Kosovë, ku ishte drejtues i komunistëve për krahinën shqiptare të Kosmetit (Kosovë dhe Metohi), që gjendej në burgun e Rogozhinës.

– I pari është themeluesi dhe kryetari i parë i “Lidhjes të dytë të Prizerenit” (1943), që aspironte bashkimin e Kosovës me shtetin amë, pas përfundimit të Luftës. I dyti, një komunist, nacionalist serb, besnik i Titos dhe misionar i çështjes serbë në Kosovë – bashkimin edhe të Shqipërisë me Jugosllavinë e pas Luftës. 

– I pari erdhi në Tirane dhe mori përgjegjësinë e drejtimit të Ministrisë të Brendëshme në qeverinë e Rexhep Mitrovicë (edhe ai një tjetër shqiptar i Kosovës, firmëtar i Pavarësisë të 1912-ës) . I dyti u lirua me porosi prej komunistëve shqiptarë nga burgu i Rogozhinës dhe konsiderohet si themeluesi i vërtetë i Partisë Komuniste Shqiptare në 8 nëntor 1941 në Tiranë.

– I pari ishte një intelektual klasi, që kishte kryer studimet e mesme në “Robert Colege” të Stambollit (një shkollë amerikane me shumë emër), mandej kishte kryer studime të plota universitare në Austri (inxhineri elektrike). I dyti kishte vetëm “shkollën” e Kominternit, por kish aftësinë të përzgjidhte ata drejtues komunistë shqiptarë që do te ishin të bindur dhe servilë ndaj serbëve dhe Titos, jo vetëm gjatë Luftës por sidomos pas saj.

– Xhafer Deva bashkëpunoi me gjermanët sepse së pari, nga pikpamja formale, ata njohën Pavarësinë dhe neutralitetin e shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare (një veprim diplomatik i pa hasur me asnjë prej vendeve ku shkeli Wermahti për nevojat e luftës), dhe së dyti, midis gjermanëve dhe komunistëve shqiptarë që vepronin sipas direktivave të Titos, Xhafer Deva evidentoi gjermanët si “të keqen më të vogël”, duke qenë i vetëdijshëm për gjëmën që e priste Shqipërinë dhe Kosovën pas luftës, nëse ato do të binin nën sundimin e komunistëve. Për këtë koha i dha të drejtë .

– Miladin Popoviçi ishte “Kali i Trojës” në gjirin e shqiptarëve antifashistë dhe atdhetarë, por edhe i komunistëve idealistë, që ushqenin iluzionin se, pas luftës, do të lulzonte epoka e “bashkim-vllazërimit” mes popujve fqinj, ku do të zgjidhej edhe Çështja e Kosovës, sipas parimit të vetvendosjes (Konferenca e Bujanit). 

Ai (Miladini) diti të përzgjedhë me mjeshtëri individë aventurierë dhe arivistë, mediokër në dije, servile dhe perversë në karakter, karieristë e ambiciozë për pushtet, që për interesa vetiake, jo vetëm shisnin interesat e Atdheut por edhe shoku-shokun (kujtoni luftën brenda llojit në P.K.SH për 50 vjet rradhazi!)

– I pari pas një emigracioni të gjatë, në Turqi, Siri, Egjipt, së fundi përfundoi në SH.B.A si pedagog në një prej universiteteve prestigjioze të saj dhe ndonse qeveria e Tiranës e kërkoi ta ekstradojë në Shqipëri si kriminel lufte, aleatët amerikanë nuk e lejuan një gjë të tillë. 

I dyti (Miladini) u largua nga Shqipëria në prill 1944 dhe u vra në Prishtinë, në rrethana ende të pasqaruara mirë, në mars 1945. E sigurt është sipas po atyre metodave që u kishte mësuar komunistëve shqiptarë gjatë kohës të Luftës (kujtoni termin “dekorim” që përdorte Tarasi, kur urdhëronte vrasjet pas shpine të shokëve të vet).

I solla të dy këto figura simbol të kohës të Luftës, të parin që u përket “Të mundurve” dhe të dytin “Fitimtarëve”, për të dëshmuar se nga pikpamja e interesit kombëtar të shqiptarëve kush ishte në “anën e duhur të Historisë” dhe kush ishin tradhëtarët e saj.

Historia nuk duhet të flasë vetëm me një gjuhë!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *