Xherdan Shaqiri shënoi mbrëmë ndaj Serbisë golin e parë të sfidës për Zvicrën që rezultoi vendimtar në kualifikimin e helvetikëve në fazën e 1/8-ave në botërorin e Katarit.
Djaloshi nga Gjilani i Kosovës trashmë shkruan emrin e tij në librin e rekordeve të futbollit botëror. Ai arrin të shënojë në tre botërorë radhazi, përfshirë dhe dy evropianë. Gjithsej, Xherdan Shaqiri ka tundur rrjetën në pesë kompeticione të mëdha radhazi.
Në botërorin e 2014-ës Shaqiri u shfaq protagonist kur arriti të realizonte një tripletë në fitoren 3-0 të Zvicrës ndaj Hondurasit.
Në evropianin e vitit 2016-të, Shaqiri do të shënonte një gol të paharrueshëm me roveshatë ndaj Polonisë.
Në botërorin Rusi 2018-të, Shaqiri do të ishte sërish protagonist me golin e shënuar në përmbysjen ndaj Serbisë, ndeshje në të cilën realizonte dhe Granit Xhaka.
Në evropianin e vitit të kaluar, Shaqiri dhuroi një paraqitje të jashtëzakonshme. Ai shënoi dy herë në sfidën ndaj Turqisë në fazën e grupeve dhe ndaj Spanjës në çerekfinale, sfidë në të cilën Zvicra eliminohej vetëm pas goditjes së penalltive.
Goli i radhës në librin e rekordeve të Xherdan Shaqirit erdhi mbrëmë në përballjen me Serbinë ku ai shënoi golin e parë në botërorin e Katarit. Zvicra mposhti Serbinë 3-2 dhe tashmë sfidon Portugalinë e Ronaldos në fazën me eliminim direkt, ku Shaqiri ka një tjetër mundësi për të shtuar rekordet e tij, tashmë historike.