Nga Sebastian Zonja
Vitet e fundit në terminologjinë politike ka hyrë një term interesant “momenti Liz Trus”. Ka të bëjë me qeverisjen shumë të shkurtër të kryeministres britanike dhe pse ajo u largua nga detyra. Gjasat janë se presidenti amerikan Donald Tramp pati momentin e tij Liz Trus. Zbuloi me dhimbje se ka një armik aq të fuqishëm politik, të cilin nuk e mposht dot: tregun e bonove. Kostoja e huamarrjes amerikane u rrit ndjeshëm gjatë eksperimentit të tij me tarifat. Për financierët, ishte e qartë si drita e diellit se me një borxh publik prej 36 trilion dollarësh, edhe për SHBA-të që kanë monedhën rezervë botërore, ky veprim shfaqte një problem të madh për t’u menaxhuar.
Që ta kuptojmë, lëvizja e Trampit kërcënoi një krizë borxhi sovran që rrezikoi gjithë sistemin financiar botëror. Sot po na shitet si ndonjë plan i mirëmenduar, por për pak sa nuk na çoi në djall të gjithëve. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka blerë pak kohë, por kriza nuk ka përfunduar.
Çfarë ndodhi me Liz Trusin:
Sapo erdhi në pushtet, kryeministrja tha se kishte një plan të guximshëm ekonomik, i cili përfshinte shpenzime të mëdha dhe ulje taksash, por pa na treguar cili është burimi i financimit. Me pak fjalë, si një kryefamiljar që thotë se nga nesër do fillojmë çdo mbrëmje të shkojmë të hamë nëpër restorantet më të mira, por askush nuk e di se nga do vijnë lekët, sepse ka po të njëjtën punë që kishte, pa asnjë shtesë rroge. Kjo lëvizje populiste e Liz Trusit, e cila kishte shkopin magjik për të zgjidhur problemet e ndërlikuara të ekonomisë britanike, shkaktoi reagim të fortë në tregjet financiare – ra vlera së monedhës dhe u rrit kostoja e huamarrjes. Në shtator të vitit 2022, Liz Trus tha se do ulë taksat me 45 miliardë paund, por asnjë s’e kuptoi se si do financoheshin shpenzimet buxhetore. Se kush i mbushi mendjen dhe tha se do merrte më shumë hua për të kompensuar uljen e taksave. Menjëherë, tregjet financiare — ku njerëzit blejnë dhe shesin obligacione qeveritare (borxhe të qeverisë) dhe monedha — u alarmuan. Investitorët thanë se nëse Mbretëria e Bashkuar merr kaq shumë hua, mund të mos jetë në gjendje ta shlyejë lehtë. Si rrjedhojë, menjëherë, vlera e paundit britanik ra në nivelin më të ulët, ndërsa kostoja e huamarrjes për Mbretërinë e Bashkuar (rendimenti i obligacioneve) u rrit shumë sepse huadhënësit kërkuan norma më të larta interesi për të mbuluar rrezikun.
S’kaloi java dhe, duke qenë se ekonomia është e rëndësishme për britanikët, më shumë se pellazgologjia, të gjithë e kuptuan se ky vendim do ua bënte jetën më të vështirë. Për shembull, normat e hipotekave u rritën sepse ato lidhen me kostot e huamarrjes. Fondet e pensioneve (paratë e kursyera për daljen në pension) gjithashtu patën probleme sepse mbështeten te çmimet e qëndrueshme të obligacioneve, të cilat po binin. Reagimi ishte aq i keq sa Banka e Anglisë ndërhyri menjëherë të blinte obligacione për të qetësuar situatën. Liz Trus anuloi planin, shkarkoi ministrin e Financave që t’ja kalonte atij fajin dhe, në fund, bëri gati valixhet vetë dhe u nis me pushime të gjata. Nga viti 2022, “momenti Liz Trus” është paralajmërim i fortë për ato lidera që bëjnë premtime të mëdha financiare pa një plan të qartë për t’i mbështetur.
Sa i përket rastit Tramp, që është shumë i ngjashëm, tarifat rritën normën e inflacionit, duke sjellë rrezikun për stagflacion apo recesion. Është gjë tjetër nëse ai rrezikoi të rrënonte vendin e tij, por bashkë me të bien edhe ekonomitë e tjera në botë. Po ne ç’kusur kemi?
Aktualisht, ndërsa gjithçka fshihet pas retorikës me akuza boshe nga komunistët MAGA, elefanti në dhomën e politikës amerikane është borxhi publik marramendës, i cili kap kuotat e 121% të PBB-së. Është jashtëzakonisht i lartë. Larja e këstit për vitin 2025 kushton më shumë se një trilion dollarë, pothuajse sa gjithë buxheti i Pentagonit. Republikanët e tipit regan thonë se shpenzimet duhet të frenohen. Por në rastin e komunistëve MAGA, specie e rrallë dhe e zëshme, thonë se do ulin taksat me 4.5 trilion $ dhe do rrisin borxhin, pa dhënë një recetë si do ndodhë kjo. Në parim, si rasti i Liz Trusit, tingëllon mirë, ndërkohë veçse shton problemin e borxhit. Sapo Trampi vendosi tarifa, tregjet e bonove reaguan. Mund të hedhësh akuza sa të duash për rendin financiar ndërkombëtar, por përgjegjësisë nuk i ikën dot. Tregu i bonove foli dhe Donald Trampi e dëgjoi dhe kuptoi mirë mesazhin.