Një mesazh i përfshirë në dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, implikon drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama në një komunikim që lidhet me një tender publik për ndërtimin e rrugës Porto Romano–Durrës.
Sipas materialeve hetimore të dorëzuara nga SPAK në Kuvend, në kuadër të kërkesës për autorizimin e masave procedurale ndaj Ballukut, rezulton se kjo e fundit ka informuar ish-vartësin e saj, Evis Berberi, se takimi me biznesmenin Ram Geci ishte bërë me kërkesë të kryeministrit.
Konkretisht, nga akti i ekspertimit nr. 195, datë 26.09.2024, mbi të dhënat e aparatit celular “BlackBerry” të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, SPAK ka zbardhur një komunikim të datës 24.08.2021, në aplikacionin “WhatsApp”. Në orën 13:49, Belinda Balluku i shkruan Evis Berberit mesazhin:
“KM më kërkoi të takoj Ram Gecin”.
Pas këtij mesazhi, në orën 13:51, Evis Berberi i përgjigjet Ballukut përmes aplikacionit “Signal Private Messenger”, duke i shkruar se e kishte takuar biznesmenin dhe se kishte qenë në kantier, ku kishte bërë një inspektim në zonën e Unazës.
Në vijim të bisedës, Balluku shprehet:
“Në PR do e çojmë këtë, them unë. Sa është PR?”,
ndërsa Berberi i përgjigjet se vlera e projektit ishte rreth 15 milionë euro pa TVSH, ose rreth 15 miliardë lekë.
SPAK sqaron se pas këtyre komunikimeve, Autoriteti Rrugor Shqiptar, më datë 15.09.2021, ka shpallur procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano–Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”. Ndërkohë, në Buletinin nr. 167, datë 22.11.2021, të Agjencisë së Prokurimit Publik, rezulton se për këtë procedurë është publikuar njoftimi mbi vlerësimin e ofertave, ku është kualifikuar oferta e shoqërisë “Geci” sh.p.k.
Prokuroria e Posaçme po heton nëse këto komunikime tregojnë ndërhyrje të paligjshme në procedurat e prokurimit publik, shpërdorim detyre dhe favorizim të subjekteve të caktuara ekonomike.

