Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e djeshme Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalajau ekzekutua me armë zjarri brenda ambienteve të institucionit nga Elvis Shkëmbi.

Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe Rakip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir, të cilët ishin palë në procesin gjyqësor që po shqyrtohej në atë moment.

Hetimet e para kanë zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare, Elvis Shkëmbi kishte hyrë në ambientet e gjykatës bashkë me xhaxhain e tij Gjon Shkëmbi. Gjatë kalimit nëpër skaner, pajisja kishte dhënë sinjal alarmi, por roja i sigurisë, Banush Koxhaj, nuk ka reaguar dhe nuk ka ushtruar kontroll fizik, duke lejuar hyrjen e tyre pa u regjistruar në librin e protokollit.

Pas dhënies së vendimit nga gjyqtari Kalaja, Shkëmbi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë drejt tij, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas ai ka hapur zjarr edhe drejt palës tjetër në proces, duke plagosur Rakip dhe Ervis Kurtajn.

Autori i dyshuar u arrestua në flagrancë pak minuta pas ngjarjes, ndërsa në pranga ranë edhe Gjon Shkëmbi dhe roja i sigurisë Banush Koxhaj, për neglizhencë në detyrë dhe bashkëpunim të mundshëm.

Ndërkohë, për nder të gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, nesër do të mbahen homazhe shtetërore në Pallatin e Kongreseve. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet më pas në orën 16:00, në vendlindjen e tij Stom-Golem, Shkodër.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *