Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka vënë në dyshim qëndrimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, duke sugjeruar se politika e Beogradit ndaj Moskës dhe Kievit është e paqëndrueshme. Në një konferencë për media, Zakharova tha se Vuçiç shpreh qëndrime të ndryshme, në varësi të vendit ku ndodhet.

“Ne nisemi nga supozimi se Beogradi do t’i përmbahet me përpikëri premtimeve të dhëna dhe nuk do të furnizojë me armë Ukrainën,” deklaroi Zakharova.

Ajo komentoi gjithashtu deklaratat e fundit të Vuçiç për shitjen e municionit vendeve të Bashkimit Evropian, edhe nëse ai përfundon në Ukrainë. Sipas RIA Novosti, zëdhënësja ruse nënvizoi se presidenti serb shpesh jep deklarata kontradiktore — një qëndrim në Moskë dhe krejt tjetër në rajonet e tjera — duke krijuar përshtypjen se “në Serbi ndoshta ekziston edhe një tjetër president Vuçiç”.

Zakharova kujtoi se Rusia, në disa raste dhe në nivelet më të larta të komunikimit, ka marrë garanci nga udhëheqja serbe se eksporti i municionit është nën kontroll të rreptë dhe se armët serbe nuk do të përfundojnë në Ukrainë, për të mos u përdorur kundër ushtarëve rusë.

“Refuzoj të pranoj, jo vetëm mundësinë, por edhe vetë idenë që ushtarët rusë, të cilët historikisht kanë dhënë zemrat e tyre për vëllezërit serbë, mund të plagosen ose të vriten nga armë, municione apo granata serbe,” tha ajo.

Pas deklaratave të Zakharovës, ka reaguar edhe Beogradi. Sekretarja shtetërore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nevena Jovanoviç, i cilësoi komentet e Zakharovës si “të habitshme” dhe theksoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj marrëdhënieve me Rusinë.

“E kujtojmë zonjën Zakharova se, pikërisht falë presidentit Aleksandar Vuçiç, Serbia është i vetmi shtet në Evropë, jashtë Komonuelthit të Shteteve të Pavarura, që nuk i ka vendosur sanksione Federatës Ruse. Ky ka qenë një vendim i vështirë, por i marrë në emër të miqësisë historike,” shkroi Jovanoviç në rrjetin X.

Ajo shtoi se Serbia ka ruajtur linja të hapura bashkëpunimi me Rusinë, përfshirë fluturimet direkte drejt disa qyteteve ruse, si dëshmi e politikës së saj të pavarur dhe konsistente.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *