Sean Penn i ka dhënë një nga çmimet e tij Oscar presidentit ukrainas, Volodymr Zelensky si një “simbol besimi” në fitoren e vendit në luftën me Rusinë. Statuja, një nga dy trofetë e aktorit më të mirë të fituar nga Penn në 2004-ën dhe 2009-ën , do të qëndrojnë në Ukrainë deri në fund të luftës.
Prezantimi ndodhi gjatë vizitës së tretë të Penn në Ukrainë që nga nisja e konfliktit me Rusinë. Gjatë takimit të tyre, aktorit iu dha Urdhri i Meritës i shkallës III nga presidenti Zelensky, i cili e falënderoi për kontributin e tij të rëndësishëm në mbështetjen e luftës së Ukrainës.
Penn u nderua gjithashtu duke vendosur emrin e tij në një gur në Walk of the Brave, i cili shpalos njerëz të njohur që kanë qëndruar përkrah Ukrainës që nga fillim i sulmit rus.
Në një postim në faqen e tij në Instagram, Zelensky shkroi : “Aktori dhe regjisori amerikan Sean Penn erdhi në Ukrainë për herë të tretë gjatë luftës. Me kënaqësi të madhe i dorëzova Sean Penn Urdhrin e Meritës të shkallës III. Faleminderit për mbështetjen kaq të sinqertë dhe kontributin e rëndësishëm në popullarizimin e Ukrainës në botë.”
Penn u largua fillimisht nga Ukraina në mars ndërsa xhironte një dokumentar mbi konfliktin ruso-ukrainas, për t’u rikthyer dhe dy herë të tjera gjatë vazhdimit të luftës.