Kryeministri Edi Rama ka komentuar zgjedhjen e Klodian Brahos si drejtues të ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pas largimit të Altin Dumanit, të cilin e vlerësoi për kontributin e dhënë në ngritjen dhe konsolidimin e këtij institucioni.
Gjatë podkastit të tij “Flasim”, këtë të diel, Rama u shpreh se pret që drejtuesi i ri ta çojë SPAK-un në një fazë më të avancuar të funksionimit dhe performancës së tij.
“Uroj që Klodian Braho ta çojë SPAK-un në një nivel tjetër, më të lartë,” – deklaroi Rama, duke theksuar se drejtësia e re duhet të vazhdojë të forcohet dhe të funksionojë mbi standarde profesionale dhe kushtetuese.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu rolin e Altin Dumanit në ndërtimin e institucionit, duke e cilësuar periudhën e drejtimit të tij si një fazë themelore për SPAK-un dhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

