Nga Ermal Mulosmani
Dje u zhvilluan zgjedhjet lokale në Kosovë. Rezultatet janë impresionuese për një njeri që i sheh për herë të parë. Një parti që është dominuese në një komunë, është inekzistente në një tjetër. Thua ti, në çdo njësi zgjedhore (komunë) jetojnë etni të ndryshme, prandaj nuk ka kurrfarë ngjashmërie.
Në Prishtinë ka një barazim thuajse matematik mes kryetarit aktual Përparim Rama dhe kandidatit të VV-së, Hajredin Çeku. Me rëndësi të madhe është se nga do të shkojnë votat e kandidatit të tretë, atij të PDK-së, Uran Ismaili. Me gjasë të lartë, këto vota do të shkojnë për kryetarin aktual, Përparim Rama.
Në Gjakovë është balotazh mes kryetarit aktual Ardian Gjini dhe kandidatit të VV-së, Ardian Gola. Gjini është në epërsi të ndjeshme dhe shkon i sigurt drejt rikonfirmimit. Shanset e kundërshtarit janë inekzistente.
Në Prizren balotazhi zhvillohet mes Shaqir Totaj të PDK-së dhe Artan Abrashit të VV-së. Epërsia e Totajt është e madhe dhe duket se balotazhi do të jetë një formalitet, si në Gjakovë.
Në Pejë, kryetari aktual Gazmend Muhaxheri prin me 46.11% të votave, ndërsa kandidati i dytë është Taulant Kelmendi i VV-së me 27.88%. Balotazhi duket një formalitet për Muhaxherin.
Gjilani është i kryetarit aktual Alban Hyseni nga VV. Balotazhi është formalitet, sepse epërsia është shumë e madhe.
Ferizaji fitohet pa asnjë konkurrencë nga kryetari aktual Agim Aliu i PDK-së.
Podujeva fitohet pa konkurrencë nga Shpejtim Bulliqi i VV-së që në raundin e parë.
Lipjani fitohet nga Imri Ahmeti i LDK-së që në raundin e parë.
Mitrovica e Jugut është gara më e bukur e këtyre zgjedhjeve!
Barazim pothuajse matematik mes Afrim Tahirit dhe Faton Pecit (15,368 me 15,340 vota).
Asnjë parashikim nuk mund të jetë i sigurt për këtë komunë.
Skënderaji dhe Drenasi mbeten bastione të PDK-së, ku nuk futet dot asnjë forcë tjetër. Interesante ishte gara mes Lladrovcit të pavarur dhe kandidatit zyrtar të PDK-së, që përfundoi me fitoren e Lladrovcit.
Në Vushtrri do të ketë balotazh mes Ferit Idrizit të PDK-së dhe Sulejman Mehollit të VV-së. Balotazhi, sipas meje, do të shkojë për PDK-në, e cila është e avantazhuar.
Një balotazh mjaft interesant është në Fushë Kosovë. Në garë janë Valon Prebreza i VV-së me 45% të votave (9,529) dhe Besnik Osmani i LDK-së me 36.62% (7,730). Mendoj se këtë balotazh do ta fitojë VV.
Garë mjaft interesante dhe e ngushtë është edhe në Obiliq. Xhafer Gashin e LDK-së dhe Halil Thaçin e VV-së i ndajnë vetëm 304 vota (5,809 me 5,505).
Në Kaçanik zhvillohet një balotazh i fortë mes PDK-së dhe VV-së. Diferenca në vota është mjaft e ngushtë (6,379 me 6,059).
Në Suharekë kemi balotazh mes Bali Muharremit të AAK-së dhe Ardian Shalës të LDK-së, me epërsi të thellë të të parit. Balotazhi duket se do të shkojë për Muharremajn.
Malisheva mbetet e Nismës. Ekrem Kastrati fitoi që në raundin e parë.
Këto janë rezultatet e komunave që unë i di për kryesoret në Kosovë. Balotazh interesant pritet vetëm në Mitrovicë, Kaçanik dhe Obiliq. Të tjerat nuk duket se kanë garë.