Nga Daut Dauti

Askush nuk flet për palestinezët e krishterë. Realiteti i krijuar (në formë imponuese) për paraqitjen e problemit izraelito-palestinez e mohon (duke e fshehur) ekzistencën e të krishterëve në Palestinë. Armata e budallenjëve, kryesisht islamofobë, habitet kur dëgjon (nëse dëgjon) se ka palestinezë të krishterë. Këta të krishterë janë kurbani kryesor që po e paguajnë çmimin e konfliktit me zhdukjen e tyre. Këta të krishterë janë viktima e padukshme e fajit të fshehur të Perëndimit. 

Para krijimit të shtetit të Izraelit, popullata palestineze ka qenë 20% e krishterë. Sot kanë mbetur më pak se 2% që jetojnë kryesisht në Gazë dhe në Bregun Perëndimor e që numri i tyre është më i vogël se 50 000. Në kauzën kombëtare të krishterët palestinezë nuk janë ndarë asnjëherë nga vëllezërit e tyre myslimanë. Prandaj, Izraeli i ka trajtuar si pjesën tjetër (myslimane). Njësoj janë përzënë, shpronësuar, persekutuar dhe detyruar të shpërngulen nëpër botë.

Bota i ka mbyllur sytë para këtij fakti dhe të krishterët palestinezë kurrë nuk patën përkrahjen as nga të krishterët tjerë të botës që supozohet të jenë vëllezër nga religjioni. Koha kur Palestina do të mbetet pa asnjë të krishterë nuk është larg. Pra, vendi ku ka lindur Krishti dhe krishtërimi do të mbetet pa të krishterët më të vjetër të kësaj bote. Dhe, për ironi, bota e krishter është duke kontribuar më së shumti në zhdukjen e krishterimit në vendin e saj më të shenjtë.

Dhe, kjo gjë është duke ndodhur nën aplaudimin e Perëndimit ku shumë njerëz trumpetojnë se civilizimi i tyre është i bazuar në krishterim.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *