Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka shprehur kritika të forta ndaj draftit të ri të Fjalorit të Gjuhës Shqipe, të përgatitur nga Akademia e Shkencave, duke e konsideruar atë të mangët dhe larg kritereve profesionale e shkencore.

Sipas Zhupës, një fjalor kombëtar, i financuar me fonde publike dhe me rëndësi të veçantë kulturore, duhet të pasqyrojë seriozitet, përgjegjësi institucionale dhe zhvillimet bashkëkohore të shoqërisë shqiptare, elemente që, sipas saj, mungojnë në këtë draft.

Ajo ka renditur disa raste konkrete që, sipas saj, tregojnë cilësi të dobët pune, si përfshirja e panevojshme e fjalëve të huaja “abandonim” dhe “onlajn”, si dhe përkufizime që i cilëson diskriminuese për termat “djalë” dhe “vajzë”. Sipas Zhupës, vajza përshkruhet me nota negative dhe paragjykuese, duke krijuar një pabarazi të papranueshme gjinore.

Deputetja thekson se kjo qasje nuk është vetëm problematike nga ana shkencore, por përbën edhe rrezik shoqëror, pasi përmes një dokumenti normativ të gjuhës normalizohet një mentalitet maskilist. Për këto arsye, ajo ka paralajmëruar se Akademia e Shkencave do të thirret në dëgjesë për të dhënë shpjegime mbi përmbajtjen e draftit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *