Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, deklaroi për mediat jashtë Kuvendit se mësuesit e diplomuar para sistemit të Bolonjës po përballen prej mbi një viti e gjysmë me një padrejtësi serioze nga qeveria. Ata nuk përfitojnë më pagesën e kategorisë dhe nuk njihen si mësues me arsim të lartë apo diplomë Master.
Sipas Zhupës, ky vendim nxiti një betejë të gjatë nga mësuesit dhe sindikatat, e shoqëruar me protesta të vazhdueshme, por përpjekjet e tyre “ranë në vesh të shurdhër”. Institucionet mbajtën qëndrim se përfitimi duhet t’u hiqej mësuesve të kësaj kategorie.
Deputetja bëri me dije se Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, kundërshtuar Vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili sipas saj ishte në shkelje të ligjit. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nuk arriti ta rrëzojë këtë vendim.
Zhupa shtoi se pala tjetër në këtë proces ishte qeveria, e cila synonte të mbante fondet që u takonin mësuesve të diplomuar para sistemit të Bolonjës. Ajo theksoi se projektligji i paraqitur ka për qëllim të korrigjojë këtë padrejtësi dhe të rikthejë të drejtat financiare të mësuesve të prekur.

