Nga Agim Morina

Menjëherë pas Luftës së Kosovës (1999), propaganda udbashe në Kosovë nisi me zhvlerësimin e luftës së UÇK-së me çdo mjet e çdo mënyrë. Baltosi luftëtarët, përdhosi figurat më të shquara të luftës kundër Serbisë. Një veprim i pamenduar i ndonjë “komandanti” përgjithësohej për të gjithë luftëtarët e UÇK-së: “UÇK po zapton dyqane”, “krahu i UÇK-së po vret kundërshtarë politikë”, “komandantët e UÇK-së po punësojnë vetëm njerëz të vet” etj.

Sot e dimë se kjo propagandë po e përgatiste terrenin për aktin final – Gjykatën Speciale. Serbia, në ndërkohë, bënte punën e saj duke mbledhur “dëshmi” e duke blerë “dëshmitarë”.

Natyrisht, shumë prej bartësve të kësaj gjuhe baltosëse në Kosovë mendonin se në Kosovën e lirë lejohej gjithçka, pra edhe zhvlerësimi i luftës së UÇK-së. Tash, besoj, shumica e kanë kuptuar se krejt kjo ka qenë paralojë, për me e bë popullin jo vetëm mos me reaguar, por edhe me thanë “Mirë ua bënë komandantëve!” Pak theksohej fakti që shumica absolute e ushtarëve të UÇK-së jetojnë në varfëri dhe me qindra prej tyre kanë bërë vetëvrasje, qoftë për shkak të zhgënjimit, qoftë për shkak të traumave të luftës.

Nën dhé, Serbia punonte e punon edhe sot për realizimin e “të drejtave të serbëve”, duke krijuar jo vetëm “kisha ekstraterritoriale”, por më shumë për me krijuar “një pakicë ekstraterritoriale serbe” nëpërmjet “Zajednicës” apo “Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Propaganda kundër Shqipërisë ishte dhe është e dirigjuar

Masandej kjo propagandë vazhdoi me krijuar një pamje së pari të shëmtuar e pastaj të urrejtur kundër Shqipërisë. Një pagesë e një çadre në bregdet e kush e di cilit tregtar, një këngë serbe në ndonjë tavernë të humbur të ndonjë katundi në Shqipëri, një deklaratë antikosovare e ndonjë anonimusi, kthehej e bëhej si të ishte deklaratë zyrtare lufte e shtetit të Shqipërisë kundër Kosovës.

Bashkimi kombëtar shqiptar është dhe mbetet zgjidhja më e mirë dhe përfundimtare e çështjes shqiptare

Si mbështetje për këtë qëndrim, fryhej e po fryhet ideja e “kosovarizmës”, si komb! Një çoroditje sa naive, aq edhe antishqiptare. Dikush e bënte dhe e bën këtë nga budallakia për me u kallxuar i mençëm, por dikush që ishte dhe mbetet kryesori i kësaj propagande fshihej prapa perdesh të “ndërkombëtarëve”, të “vlerave europiane”, ndërsa selinë e ka doemos në Beograd. Jo se Beogradit i pëlqen fakti që Kosova u shkëput prej saj, por mes dy zgjedhjeve – “kombit kosovar” dhe “kombit të bashkuar shqiptar” – Serbisë i shkon më shumë për shtati të përkrahë “kombin kosovar”, sepse kështu shqiptarët janë më të dobët. Dhe kjo, vini re me kujdes, i shkon për shtati çdo faktori antishqiptar.

Nëse gjermanët, një komb kaq i madh e i fuqishëm, menduan se bashkimi i kombit të tyre u siguron një të ardhme më të mirë, si mund të kenë shqiptarët komoditetin e të vënë në pyetje një shembull kaq të qartë e kaq të pakundërshtueshëm?

Falja e krimeve serbe dhe poshtërimi i viktimave të luftës janë pjesë e luftës hibride

Faza tjetër e kësaj lufte propagandistike ishte “falja e krimeve” të Serbisë që duhej me u bë, sepse “kishin kaluar tashmë 20 vjet”! Këtë qëndrim e shfaqi jo vetëm ndonjë gazetar mendjefyçkë – që u plak e nuk mësoi dot me shkru shqipen për së mbari – por edhe ndonjë politikan i faqes së zezë i Kosovës. Faza e fundit e kësaj propagande është që viktimat të paraqiten si “ankesa të tepruara viktimizuese”, si “shfrytëzim i tragjedive për qëllime politike” etj.

Nuk është se bartësit e çdo faze të kësaj propagande kanë qenë të njëjtit njerëz e të njëjtat media, por qendra (apo qendrat) që ka menaxhuar dhe menaxhon edhe sot është dhe mbetet qendër antishqiptare. Kjo qendër nxit e shtyn përpara debate krejt të kota dhe inatçore, masandej përshtatet me rrjedhën e këtij narracioni për me e paraqitë si dukuri spontane, piketon dhe përzien mendjefyçkat me agjentët, fut në lojën mediatike ish-udbashë apo bij spiunësh që i fryjnë edhe më shumë zjarrit. Dhe opinioni publik i Kosovës, në vend që të përqendrohet në çështjet thelbësore të interesave kombëtare, merret ose me debate të kota, ose – edhe më keq se kaq – me debate dëmsjellëse, në mos edhe shkatërruese për të ardhmen e shqiptarëve.

By Editor